Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Ferizajt u diskutua raporti i punës së ekzekutivit lokal gjatë vitit 2020.
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, listoi punët e filluara dhe ato të përfunduara nga qeverisja e tij gjatë këtij viti.
“Edhe pse viti 2020 solli vështirësi pa fund, shtrëngime financiare, rënie të inkasimeve, natyrisht të mirëkuptuara në të tilla situata, arritëm të përmbushim në 100% e saj platformën tonë investive për Ferizajn që duam dhe na dhanë besimin ferizajasit. Në rrafshin e insfrastrukturës rrugove, jo vetëm 2020 por gjithë mandati ynë qeverisës ishte dhe do të mbetet mandat i transformimit të Ferizajt. Këtë e thonë dhe përjetojnë më së miri secili ferizajas që i gëzohet të mirës publike”, tha ai.
Aliu mori kritika nga opozita ferizajase.
“Mendoj se një herë duhet të kërkoni falje për projektet e dështuara si p.sh Qendra e Inovacionit. Përmendët që keni shtru shumë rrugë me asfalt, edhe për këtë duhet të kërkosh falje, sepse për këto 20 vitet e fundit kurrë nuk është shtru asfalt më i dobët, bile të rekomandoj me përdorë helme kundër barishteve sepse në çdo rrugë kemi barishte. Përmende rrethin e Nikadinit, po ta rikujtoj që sivjet një herë patëm vërshime e ky rreth u mbush me ujë, d.m.th projekt i dështuar. Përmende që për 20 vjet ka pasur rrugë të dobëta, por po harron qeverisjen tuaj 17 muajshe dhe qeverisjen e Bajrush Xhemajlit. I përmendët shkollat, por të lutem kryetar më trego cila shkollë po përfundon në mandatin tuaj se nuk e kam të qartë. Po ta rikujtoj që kemi shkolla që nuk i përmbushin kushtet për mësim. I përmendët që janë ndihmu 38 biznese, por është dashur me tregu cilat janë ato sepse disa nga ato biznese janë familjarë të Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik”, tha Amir Rexhepi, asamblist i AKR-së.
“Kryetar ju dëgjova për investimet në “Pastërtia”, pasi që këto ditë ka pasur shumë ankesa nga qytetarët e po bëhen dy javë që mbeturinat janë kudo në qytet dhe fshatra që nuk janë tërheqë dhe ata si shkak thojnë që mekanizmat u mungojnë edhe kanë defekte në mekanizma”, tha Xhevat Sallahu nga LVV.
“Këtu nuk është paraqitur asgjë, por sipas hulumtimeve të OJQ-ve del fakti se vetëm tri kompani arrijnë me marrë 44.8% të gjithë tenderëve në Ferizaj. Tri kompani me pesë tendera. D.m.th janë kompanitë e njëjta që në vazhdimësi marrin tendera edhe para dy vjetëve edhe në vitin e kaluar d.m.th tenderat në tri kompani shkojnë”, tha Flamur Istrefi, kuvendar i LDK-së.
“Viti 2020 ishte vit i dështuar në futboll, mos të flasim për sportet e tjera, por sidomos futbolli si një nga sportet më të popullarizuara ka luftu në vitin 2020 për mbetje në ligën e dytë. D.m.th për mbetje në ligën e dytë e jo për inkuadrim në ligën e parë apo Superliga siç njihet. Projektet e nënkalimeve që po proklamohen kaq shumë. Do doja të pyesja kryetarin që pse në përurimin e nënkalimit tek “Plus Marketi” nuk ishte i pranishëm ministri i Infrastrukturës kur dihet që ky projekt është financuar nga Ministria e Infrastrukturës e jo nga Komuna. A thua vallë ministri i ri nuk erdhi sepse e dinte që ky projekt ishte i realizuar me shumë mangësi procedurale, për dallim nga ish-minstri që vite e bënte reklama këtu, bashkë me ish-kryetarin e komunës ia bëjshi reklamat nënkalimit për të cilin ne kishim dhënë shumë vërejtje”, tha Balton Dërguti nga Lista “Guxo”.
Në këtë seancë u votuan edhe Propozim-Vendimet për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesëve të nagastrave kadastrale në Ferizaj dhe Komogllavë. E, poashtu u votua edhe Propozim-Vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të një parcele në Babush të Ri.