Sot në tërë Kosovën u mbajt testi i arritshmërisë për nxënësit që sapo e kanë përfunduar klasën e nëntë.
Testi i cili filloi në orën 10:00 të mëngjesit në shkollat “Jeronim de Rada” dhe “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj shkoi mirë dhe pa ndonjë problem.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Arsimit Muhamet Murseli, tha se në shkollën “Jeronim de Rada” gjithçka shkoi mirë dhe se nuk u regjistrua ndonjë rast për tentim të kopjimit.
“Ka filluar në ora 10:00 dhe janë në proces, të gjithë nxënësit kanë ardhë. Nxënësit e “de Radës” dhe nxënësit e shkollës së Dardanisë. 14 paralele janë të “de Radës” dhe 2 të Dardanisë, por të ndara në grupe. Asnjë klasë nuk e ka mbi 15 numrin e nxënësve. Distanca është në nivel, testi është duke shku shumë në nivel dhe gjithçka ka shku me rregull, testi ka ardhë me kohë“, theksoi ai.
E, Drejtori i Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, shkollë kjo në të cilën testin e arritshmërisë e mbajtën nëntë shkolla, thotë se edhe këtu procesi i testimit shkoi mirë duke i respektuar masat anti-Covid.
“Procesi i testit të arritshmërisë ka filluar mbarë dhe me kohë, nuk kemi pas asnjë problem. Vëzhguesit, nxënësit dhe materiali kanë ardhur me kohë. Nuk ka pasur ndonjë ekces, në monitorim e kemi pas edhe Policinë e Kosovës të cilët na kanë vizitu dhe i kanë marrë të dhënat që u nevojiten. Gjithsej në këtë qendër të testimit kanë qenë 215 nxënës të nëntë shkollave”, tha Bajram Rexhepi, drejtor i Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.
Edhe nxënësit të cilët u testuan sot ndanë përvojën e tyre lidhur me testin e arritshmërisë.
“Këtu kemi ardhë me mbajtë testin e arritshmërisë, mirë kemi kalu. Testi nuk ishte i vështirë, por edhe i lehtë jo”, tha Mesut Ramabaja, nxënës i shkollës “Dituria”.
“Testi kaloi shumë mirë. Nuk ishte edhe shumë i vështirë”, tha Albion Hakiu, nxënës i shkollës “Enver Topalli”.
Rezultatet e testit të arritshmërisë do të shpallen me 7 qershor.