Gjatë ditës së hënë, por edhe paraditen e së martës, personat që deshën të vaksinohen në Ferizaj u kthyen në shtëpi pa e marrë vaksinën, krejt kjo pasi që kontingjenti i ri i vaksinave nuk kishte arritur akoma.
Të moshuarit u detyruan të kthehen në shtëpi pa e marrë vaksinën, madje disa për të dytën ditë.
“Unë për Dispanzer jam nis, aty më thanë me shku te salla, prej sallës erdha këtu, tash për momentin nuk ka vaksina. Po presim, online kanë thanë që me u lajmëru e unë nuk e kam ditë këta. Sot erdha me marrë vaksinën por nuk ka, kështu që duhet me u kthy te shpia, çka me ba”, tha Enver Berisha.
“Jam ardhë edhe dje për vaksinë, thanë jena përgatitë po s’ka. S’ka, s’ka, ditën e mirë, çka kemi me ba. Jo deri tash nuk jemi regjistru, veç me letërnjoftim u kanë, kush ka mujt me mrri. Prej tash çka bajnë, tybe ne di”, tha Fehmi Mehmeti.
Zëvendësdrejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj Afrim Abazi, tregon pse nuk filloi vaksinimi të hënën ashtu siç edhe ishte paralajmëruar.
“Kjo vonesë ka ndodhë, jo për arsye tonë, por dihet që ne furnizimin e bëjmë prej Ministrisë së Shëndetësisë. Javën e kaluar Ministria na ka lajmëru që do të furnizohemi të hënën dhe si i tillë është lansu një lajm, por ajo nuk ka ndodhë, por jo me fajin tonë sepse varësisht se si na furnizon Ministria e Shëndetësisë ne e kryejmë edhe detyrën tonë. Lajm i mirë është që sot kemi pranu një sasi të vaksinave, diku 204 doza që janë të pamjaftueshme, por ato që janë ne do t’i japim gjatë javës”, theksoi zëvendësdrejtori i QKMF-së.
Megjithatë, në orën 12:00 rifilloi vaksinimi në sallën e edukatës fizike në shkollën e mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë.
Sot ishte planifikuar që të vaksinohen 36 persona me vaksinën anti-Covid, persona këta të regjistruar në platformën E-Kosova.
Shefja e vaksnimit Drita Nazifi-Emini, tha se personat që do të marrin këto doza të vaksinës do të jenë personat e moshës mbi 65 vjeçare.
“Ne tani kemi rifilluar vaksinimin e pacientëve të cilët janë të planifikuar në bazë të planit shtetëror të vaksinimit, të cilët janë të regjistruar në platformën E-Kosova. Pacientët e regjistruar në E-Kosova do të kontaktohen përmes telefonit dhe do të caktohen me termine që të mos ketë grumbull të pacientëve, por edhe të ketë pritje me distancë dhe të përcillet më mirë gjendja shëndetësore pas marrjes së vaksinës, ku rregulli është që të qëndrohet 15 minuta”, tha ajo.
Hajrie Orana dhe Lebibe Selmani të cilat u vaksinuan sot tregojnë për përvojën e tyre me vaksinën.
“Ka shku shumë mirë, problem s’kena pas, na kanë thirrë”, tha Hajrie Orana.
“Sot kaluam mirë, kemi apliku online. Na kanë thirrë një javë përpara, nuk kish pas, jemi kthy, kurse sot na thirrën e krytem mirë”, tha Lebibe Selmani.
Ferizaj kësaj radhe u furnizua me vaksinat e kompanisë Pfizer/Biontech.