Kompozitori dhe ish-profesori Fahri Beqiri, ka vdekur sot në moshën 85 vjeçare. Beqiri gjatë karrierës së tij ka themeluar festivalin “Kosovarja Këndon” dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” në Ferizaj.
Bashkëpunëtoret e tij në “Kosovarja Këndon” dhe Ansamblin “Kastriotët”, Sadije Çarkaxhiu dhe Lindita Isufi, e kujtojnë profesor Fahriun si profesionist të madh.
“Me profesor Fahri Beqirin njihem shumë herët, si anëtare e ansamblit “Kastriotët, pesë dekada gati kemi qenë bashkë me të. Profesor Fahriu ka qenë babë i ansamblit, babë i festivalit “Kosovarja Këndon”. Kemi pas bashkëpunim të ngushtë me të, kemi punu shumë ditë e natë. Ka qenë një njeri i palodhur, njeri vërtetë që me mish e me shpirt i është kushtu ansamblit dhe festivalit. Profesor Fahriu ka jetu në Prishtinë, por një pjesë të jetës e ka pas në Ferizaj”, thotë Çarkaxhiu për Tv Tema.
“Me profesor Fahri Beqirin ka qenë kënaqësi e madhe me punu, por mbi të gjitha ka qenë ajo që unë isha studente e tij. Gjatë shkollimit tim ka qenë një shtyllë e madhe për mua. Mësimet dhe këshillat që na i ka dhënë mua dhe studentëve të tjerë kanë qenë shumë të mira dhe na kanë shërby gjatë zhvillimit tonë profesional si muzicientë të ardhshëm. Bashkëpunimi me të ka qenë shumë i mirë, kam përfitu shumë nga puna dhe vlerat e tij që i ka pas si artist, njeri i dashtur e kërkues në punë. Ka qenë ambicioz e ka kërku tepër, por gjithsesi realizimi i festivalit në fund ka qenë i mrekullueshëm”, theksoi Lindita Isufi.
Çarkaxhiu dhe Isufi mes emocionesh ndanë edhe kujtime të veçanta me profesor Fahriun.
“Kemi kujtime të ndryshme, e di në një moment kur kishim një incizim në televizion edhe tha silluni mirë, qëndroni mirë, mos prekni hundë e as fytyrë, sepse çdo send incizohet edhe ishte shumë i rreptë në ato momente, tha po ju lutem kështu të jeni të vendosur”, tregoi Çarkaxhiu.
“Gjithmonë më ka thanë fjalë të mira dhe ato më kanë shty me vazhdu me punën time profesionalisht. Ka ditur edhe me dhanë kritika, por gjithsesi çdo bisedë e takim gjatë provave dhe studimeve gjithmonë ka bisedu rreth muzikës, rreth profesionit”, deklaroi Isufi.
Varrimi i profesor Fahri Beqirit u bë në orën 17:00 në varrezat e Prishtinës.