Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 22 bursave nga “Shkolla Austriake e Shkencave të Aplikuara”.
Bursat në vlerë prej 2 mijë eurosh u dhanë për personat e interesuar për të ndjekur kurset “Menaxhim Projekti” dhe “Menaxhim Biznesi”.
Menaxheri ndërkombëtar i ASAS-Austrian School of Aplied Studies, Herbert Schiler, tha se kurset do të jenë online.
“Kursi i “Menaxhimit të projektit” do të mbahet plotësisht online, askush nuk ka nevojë të vijë në universitet, por të gjithë mund të studiojnë nga shtëpia apo puna, kudo dhe kurdo që duan. Ne po u japim bursa, saktësisht 24 personave që janë dashur të kalojnë një test për të përfituar bursën dhe të kenë një diplomë Bachelor-i, çdokush ka mundur të aplikojë për këtë bursë. Jemi të hapur të japim bursa për gratë ndërmarrëse dhe minoritete. Ky kurs mund të ndiqet online në Universitetin e Grazit me një çmim prej 2000 euro, pra secila bursë është në vlerë prej 2000 eurove”, tha Schiler.
Arbër Gola i cili është njëri nga përfituesit e kësaj burse, thotë se kurset e tilla janë shumë të nevojshme.
“Kjo ka qenë një mundësi e mirë dhe e veçantë, që në Kosovë janë të rralla, po janë shumë të mirëseardhura. Menaxhimi i Projekteve në Kosovë është i vonuar, por ka perspektivë shumë të madhe dhe shumë biznese e institucione janë të fokusuara në formën e projektit. Unë pres të certifikohem dhe të mësoj praktika të mira ndërkombëtare për të meaxhuar projektet edhe këtu në Kosovë.. Këto lloj trajnimesh dhe certifikimesh janë shumë të nevojshme për të rinjtë në Kosovë, për të avancuar dhe për t’iu përshatatur nevojave të tregut të punës“, thotë Gola.
Rektori i Universitetit të Ferizajt Agron Bajraktari, tregon se ky projekt i mësimit online ishte paraparë të fillonte më herët, por pandemia e shtyu.
“Nga eksperienca te stafi ynë dhe 22 përfituesit që do të certifikohen për këtë lloj mësimi, përgatitjen e kurrikulave, mënyrën e dhënies së mësimit në distancë, duke mos e larguar mësimin fizik, sepse për Shkencat e Aplikuara nuk është e lehtë të largohet mësimi fizik. Bashkëpunimi profesor-student dhe në biznes duhet të jetë gjithmonë varianti më i mirë”, tha Bajraktari.
Pas shpërndarjes së bursave, USHAF mbajti edhe aktiviktetin “Dyer të hapura” ku maturantët patën mundësi të shohin kushtet që ofron ky Universitet.