Në prag të festës së Fitër Bajramit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj ka shpërndarë 200 pako me ushqime dhe veshmbathje për nevojtarët.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi, tha se përfitues të këtyre pakove janë familjet me asistencë sociale, por edhe familjet tjera në nevojë.
“Dje kemi pranuar diku 100 pako ushqimore me mish nga ”Uka Group” dhe gjithashtu nga ”Outlet Centre” kemi pranuar 200 pako me veshmbathje. Jemi falënderues ndaj donatorëve, shpresojmë që sado pak ta zbusim gjendjen ekonomike të qytetarëve, sidomos në prag të Fitër Bajramit“, tha Kurti-Maliqi.
Lumturie Idrizi, që sot ishte përzgjedhur për të marrë një pako, tregon për vështirësitë e saj si familje strehuese për tre jetimë, ku njëri nga ta është me sindromën Down.
“Jam familje strehuese, i këqyri tre fëmijë. Shumë kemi nevojë për ndihma. Burri punon, fëmijët i kam jashtë se mos me pas ndihmën e familjes nuk kisha mund me i këqyr krejt. Fëmija duan pampersa, duan të hanë, të pinë, veshje e mbathje”, tha ajo.
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, premtoi se edhe në të ardhmen do t’i ndihmojë familjet në nevojë.