Në sheshin e qytetit të Ferizajt u mbajt “Panairi i gatimeve” i organizuar nga organizata ”Nisja, Zhvillohu”.
Ky panair përmbante ushqime tradicionale, ëmbëlsira dhe ushqime të konservuara të gatuara nga gratë ferizajase.
Drejtoresha ekzekutive e ”Nisja, Zhvillohu”, Florina Ujupi tregon se gratë pjesëmarrëse në panair kanë punuar edhe më herët, por pandemia i dëmtoi në punën e tyre.
“Është panairi që e kemi bërë në prag të festës së Fitër Bajramit që gratë me i shitë produktet e veta, e kemi quajtur si paniri i gatimeve, me të ardhurat që këto i bëjnë janë për familjet e tyre dhe diçka kemi me dhanë për bamirësi. Kjo është në bashkëpunim me ”Caritas”-in, projekt i Bashkimit Evropian, është një ditor, përndryshe ne jemi duke u bërë gati do ta hapim një treg ditor të grave, diku kah data 20 qershor po planifikojmë me çel, e kjo është si pikënisje që me i njoftu njerëzit që ne tash e tutje kemi me qenë në treg çdo ditë, e jo vetëm një ditë“, thotë Ujupi.
Pjesëmarrësja e këtij panairi, Valdete Sahiti, e cila është edhe përfaqësuese e shoqatës “Agro Skifteraj” që merret me prodhimin dhe përpunimin e perimeve, thotë se panairet si ky i sotit janë mundësia e tyre e vetme për tregti.
“Për ne si shoqata këto panaire janë shumë të rëndësishme, për shkak se si shoqatë nuk mundesh me depërtu në markete, as në të voglat as në të mëdhajat. Panairet janë shumë të mirëseardhura për ne, por që nga fillimi i pandemisë, sot është hera e parë që po marrë pjesë në panair. Shitja ka ra shumë, edhe prodhimi ka ra për arsyen se kur e di që nuk e ke shitjen e sigurtë nuk je në gjendje me prodhu aq sa duhet. Ndihma kish me qenë e mirëseardhur, por ne si shoqata nuk jemi të përfshira askund, as në programin e rimëkëmbjes ekonomike, kështu që ne duhet me forcat e tona me u rikthy prap ku kemi qenë“, deklaroi Sahiti për Tv Tema.
Motoja e këtij panairi ishte “Blej ëmbëlsira, ndihmo gratë”.