Kuvendi Komunal i Ferizajt mori vendim për kompensimin e kryetarëve të fshatrave të kësaj komune.
Drejtoresha e Administratës Publike Aurora Ramadan, i tha se kanë paraparë që udhëheqesit e fshatrave të paguhen me nga 300 euro në vit.
Ndaj këtij propozimi, pati kërkesa nga asamblistët.
“Kemi kërku që të rritet paga për përfaqësuesit e fshatit. A nuk ka pasur ndonjë mënyrë tjetër, p.sh përmes mëditjeve, sepse këto nuk iu mjaftojnë, ka qenë kërkesë edhe e kryetarëve që me u rritë kjo sepse nuk iu mjafton, kanë takime gjatë tërë javës, kanë takime në komunë, sjellin kërkesa të ndryshme e nuk iu mjaftojnë këto 300 euro për gjashtë muaj”, tha Amir Rexhepi, asamblist i AKR-së.
“Sa i përket kësaj çështje për kompensimin e kryetarëve të këshillave të fshatrave duhet të bëhet një rregullore e brendshme që edhe anëtarët e këshillave të paguhen, se ai kryetari nuk është veç vet. Është kryetar i këshillit, por minimumi tre deri në pesë anëtarë të kompensohen me një mëditje të cilën e kanë anëtarët e komiteteve jo obligative të Kuvendit Komunal. Nëse e dinë anëtarët e këshillit që kryetari merr pagë e ata jo, ata s’vijnë hiq, kush e di qysh funksionon çështja nëpër lokalitete”, u shpreh Muhamet Halili, asamblist i pavarur.
Kërkesave të asamblistëve iu përgjigj drejtoresha e Administratës, Aurora Ramadani.
“Udhëzimi administrativ e ka përcaktu në nenin 12 çështjen e pagesave apo kompensimit të përfaqësuesve dhe zonave urbane. Pika 1 thotë se për punën e tyre kryetarët e këshilleve lokale, kompensohen nga komuna përkatëse. Pika2: Kompensimi bëhet në shumën ekuivalente të anëtarëve të komiteteve obligative. Pika3: Kompensimi për pjesëmarrje në takime bëhet vetëm për gjatë takime të mbajtura brenda vitit kalendarik”. Zotëri Muhamet unë vetëm një sqarim po ua jap. Rregullorja veçse është kaluar përmes këtij Kuvendi. Atëherë nuk kishte këso propozime. Duhet me qitë eksta këtë pikë dhe me ndryshu rregulloren? Apo më herët nuk keni pas kohë?” , tha Ramadani.
Në këtë mbledhje dha betimin asamblisti i ri i këtij Kuvendi, Flamur Istrefi.
Istrefi në Kuvendin Komunal e zëvendësoi Ekrem Mustafën, i cili u bë deputet i Kuvendit të Kosovës.