Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj ka vend për 90 pacientë të infektuar me virusin Covid-19. Nga këta 90 shtretër, 44 veçse janë të zënë me pacientë të cilët po luftojnë me koronavirusin.
Drejtori i këtij Spitali Jeton Zeqiri, tregon se gjendja momentale në këtë institucion është e qëndrueshme dhe e menaxhueshme.
“Nuk kemi asnjë pacient në modulin e ventilimit CPAP. Të gjithë pacientët e hospitalizuar janë në oksigjeno-terapi, relativisht gjendja e tyre është stabile. Ndërsa me oksigjen dhe material shpenzues qëndrojmë relativisht mirë”, u shpreh Zeqiri.
Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi, tregon se përballja me Covid-19 ka shkatuar vështirësi në trajtimin e pacientëve që nuk janë të prekur me këtë virus.
“Neve si komunë na ka shkaktu shumë telashe, për arsye se edhe ashtu kemi pas mungesa të stafit shëndetësor, sidomos në këtë kohë kur i kemi pas ekipet e angazhuara nëpër shtëpi, ka pasur ngecje në menaxhimin e situatës brenda QMF-ve edhe pse me atë staf që e kemi jemi mundu me ofru shërbime sa më cilësore për qytetarët”, tha ajo.
E, Spitali i Ferizajt i cili u shndërrua në Spital Covid për shkak të valës së tretë të pandemisë, pritet që gjatë javës tjetër të fillojë lirimin e hapësirave për trajtimin e pacientëve me sëmundje të tjera.
“Shërbimi emergjent është duke funksionuar, shërbimi i gjinekologjisë dhe dializës po funksionon. Jemi duke u përgatitur që javën tjetër ta lirojmë hapësirën e kirurgjisë dhe ortopedisë dhe pas festës së 1 majit nëse kemi rënie të numrit do të fillojmë edhe me programin elektiv dhe me shërbimet specialistike“, theksoi Zeqiri.
Ferizaj ka probleme me furnizimin me barna anti-virale, të cilat përdoren në trajtimin kundër koronavirusit.
Madje, Spitali i Ferizajt ka pësuar edhe rënie prej 5 për qind me furnizim me barna esenciale.
Drejtoresha e Shëndetësisë tregon se barnatorja e Spitalit, por edhe ajo e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, varen eksluzivisht nga Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna.
Madje, ajo paralajmëron edhe më shumë vështirësi në furnizimin me barna.
“Kemi ba disa herë kërkesa në Ministri të Shëndetësisë dhe nuk kemi marrë përgjigje prej tyre. Edhe pse është premtu që do të ketë një rivlerësim të gjendjes së barnatoreve ditë më parë kemi parë që buxheti edhe ashtu është shkurtu për barnat dhe besoj që do të ketë akoma më shumë vështirësi në arritjen e furnizmit të mjaftueshëm“, tha Abetare Kurti-Maliqi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht kërkon nga qytetarët që të mbrohen nga Covid-19, në mënyrë që gjendja nëpër institucionet shëndetësore të mos rëndohet edhe më shumë.