Fondit librar të bibliotekës së qytetit të Ferizajt “Sadik Tafarshiku”, iu shtuan edhe rreth 300 libra.
Këto libra u sollën nga deputeti Dimal Basha, i cili së bashku me vëllain e tij i mblodhën ato në bibliotekat e New York-ut.
Basha shpreson që këto libra do t’iu hyjnë në punë studentëve ferizajas, pasi ka tekste shkollore dhe shkencore.
Kur u pyet se si deputet a do të kërkojë nga Qeveria që të ndërtohet një objekt i ri i biliotekës së Ferizajt, ai pati këtë përgjigjje:
“Unë mendoj që janë prioritet dhomat e leximit. E pashë që Gjilani kishte një hapësirë shumë të mirë dhe se nuk ka asgjë më të mrekullueshme se me pas një bibliotekë të madhe ku munden me u mbajtë shfaqje dhe biblioteka mundet me punu më mirë, por edhe studentët me gjetë hapësirë edhe me studiu dhe me lexu gjatë kohës së lirë, kështu që unë mendoj që patjetër duhet të bëhet prioritet dhe duhet me u shty përpara dhe me u cilësu si prioritet i kësaj qeverie, që mendoj se do të jetë”, tha Basha.
Drejtoresha e bibliotekës “Sadik Tafarshiku”, Teuta Demiri, thotë se stafi i biliotekës është gjithmonë i lumtur për secilin donacion të librave që pranon, duke treguar se në çfarë forme pasurohet me libra kjo bibliotekë.
“Biblioteka gjithherë ka nevojë, sepse librat shumë po botohen edhe ribotohen dhe nuk është se biblioteka mund t’i ketë të gjithë titujt që botohen. Donacionet janë të mirëseardhura, jo 300 libra, por edhe një libër i vetëm nëse mund të vjen në bibliotekë atëherë biblioteka dhe lexuesit do të jenë shumë falënderues. Biblioteka asnjëherë nuk ka pasur një fond të përcaktuar të buxhetit për blerjen e librave, librat janë të financuara ekskluzivisht nga komuna dhe drejtoria për kulturë, duke u varur nga ata se sa do të ndajnë për blerjen e librave për bibliotekë“, theksoi ajo.
Salla e leximit të bibliotekës së qytetit të Ferizajt ka vend për 80 lexues, por për shkak të pandemisë aty lejohen të jenë vetëm 25 sosh.
Nga kjo bibliotekë vazhdimisht ka kërkesë për një objekt të ri me më shumë hapësirë, për shkak të rritjes së numrit të librave dhe lexuesve.