Megjithë numrin e lartë të pacientëve me Covid-19 të shtrirë në Spitalin e Ferizajt, por edhe të atyre që dalin pozitiv me këtë virus brenda ditës në këtë qytet, institucionet shëndetësore publike në Ferizaj kanë mungesë të barnave antivirale për trajtimin e koronavirusit.
Megjithatë, gjendje më e mirë paraqitet tek barnat esenciale.
Hajriz Tahiri, shef i barnatores së Spitalit, tregon se kanë rreth 70% të barnave esenciale.
“Mendoj se gjendja e furnizimit të Spitalit të Ferizajt me barnat e listës esenciale është deri diku e mirë. Mbi 70% e mbulon furnizimi listën esenciale. I kemi disa produkte mungesë si sistemi i infuzionit, aplikator që vendoset tek pacienti për ta marrë infuzionin. Për terapi qëndrojmë më mirë, i kemi barnat edhe pjesën e barnave e cila përdoret për luftimin e Covid-19. Disa mungesa që po shpenzohen janë heparinat me peshë të vogël molekulare, e shpresoj që do të furnizohemi së shpejti. Sa i përket terapisë antivirale, na mungon remdesiviri dhe favipiraviri. Me favipiravir jemi furnizuar nga barnatorja qendrore dy herë rradhazi, sasinë që e kemi marrë ua kemi shpërndarë pacientëve dhe presim furnizim të rradhës”, tha ai.
Edhe barnatorja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, gjendjen me barna esenciale e ka stabile, por jo edhe me ato antivirale.
Donjeta Guri nga kjo barnatore thotë se për shkak të pandemisë furnizimi me barna po bëhet në mënyrë emergjente, e jo në periudha mujore siç ishte bërë më parë.
“Për barna esenciale kemi furnizim, kemi antibiotikë dhe antiperitikë dhe disa lloje të tjera të barnave. Ndërsa, për Covid nuk kemi shumë sasi të mjaftueshme për personat e infektuar me këtë sëmundje, por kemi azitromicinën dhe disa lloje pak të cilat mundemi me i mbulu, ndërsa për mjete mbrojtëse kemi furnizime me të cilat i furnizojmë të gjitha pikat e tjera të QKMF-së”, u shpreh Guri.
Në Ferizaj janë dhënë 1 mijë e 560 vaksina anti-Covid, ku janë vaksinuar personeli shëndetësor publik e privat dhe personat e moshës mbi 75 vjeçare.