Procesi i vaksinimit në Ferizaj i nisur para 20 ditësh përfundoi sot. Kjo për faktin se u harxhuan 1560 dozat e vaksinave me të cilat ishte furnizuar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë qytet.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, tregon se Ferizaj u furnizua tri herë me vaksina gjatë muajit prill.
Ajo tha se ekipet mobile që nga data 20 prill kanë filluar të vaksinojnë pacientët e shtrirë nëpër shtëpitë e tyre, ku 39 prej tyre u vaksinuan.
“Furnizimi me vaksina anti-Covid është bërë me datën 1 prill, ashtu që kemi startu me 3 prill me stafin shëndetësor të sektorit publik dhe privat. Pastaj u vazhdua me planin e vaksinimit shtetëror me të moshuar mbi 80 vjeç të ndarë nga tre ditë, pastaj mosha 75 deri në 79. Sot është dita e fundit, janë dozat e fundit të vaksinave prej numrit të përgjithshëm të vaksinave 1560 vaksina”, tha Ymeri.
Ferizaj në listën e vaksinimit kishte 960 punëtorë shëndetësor, por nga ta vetëm 409 janë vaksinuar në Kosovë, kurse 6 të tjerë kanë marrë vaksinën e ofruar nga Shqipëria.
Rreth numrit të ulët të vaksinimit të stafit shëndetësor, Ymeri tregon se çka ka ndikuar në hezitimin e tyre.
“Me thanë të drejtën në fillim ka pas hezitim më të shprehur. Vet fakti që në disa shtete është pezullu dhënia e vaksinës Astra Zeneca ka ndiku që të prolongohet marrja e kësaj vaksine tek disa punëtorë shëndetësor. Megjithatë bujë të madhe për sensibilizimin e punëtorëve shëndetësor kanë dhënë grupet të cilat kanë shku në Kukës, ai grupi e parë. Disa nga punëtorët shëndetësor veçse e kanë kaluar koronavirusin dhe disa të tjerë kanë qenë pozitiv gjatë kësaj kohe”, tha ajo.
Edhe pse nuk dihet saktë se kur Kosova do furnizohet përsëri me vaksina kundër koronavirusit, pritet që ato të shpërndahen në bazë të numrit të banorëve të secilës komunë.