Dita Botërore e Librit këtë vit në Ferizaj u prit pa ndonjë organizim, për shkak të pandemisë që ka kapluar tërë botën.
Drejtoresha e bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, Teuta Demiri, tregon se për shkak të pandemisë numri i lexuesve ka rënë dhe se pak persona po e shfrytëzojnë sallën e leximit të bibliotekës.
“Biblioteka në Ferizaj zakonisht krahasuar edhe me vitet paraprake ka pasur lexues shumë. Në vit kemi anëtarësuar afër 4 mijë lexues dhe në ditë e kanë frekuentuar diku 300 lexues. Biblioteka ka qenë pikëtakim i studentëve dhe nxënësve. Kanë ardhur dhe kanë huazuar libra rregullisht dhe jemi një ndër bibliotekat me më së shumti numër të lexuesve, por tash ky numër ka rënë”, tha ajo.
Demiri shton se gjendja me pandeminë nuk është e lehtë as për lexuesit, meqë në sallë të leximit lejohet të jenë vetëm 25 lexues, mirëpo shton se të gjithë po iu përmbahen në përpikëri masave kundër virusit korona.
“Tani për tani biblioteka ka këtë hapësirë dhe nuk mundemi që kjo hapësirë të jetë më e madhe shkaku që ndërtesa është e tillë dhe me këto kushte që i ka biblioteka në një të ardhme shumë të afërt biblioteka nuk do të jetë në gjendje të plotësojë dëshirat dhe kërkesat e lexuesve, pasi që fondi librar po shkon duke u rritur çdoherë, po ashtu edhe numri i lexuesve. Mendojmë se Ferizaj duhet të mendojë për një bibliotekë dhe duhet ta ruajë një hapësirën diku për të ndërtuar një bibliotekë ashtu siç i takon një biblioteke“, u shpreh Demiri.
Dita e Librit ka filluar të shënohet më 23 prill 1995 nga UNESCO si ngjarje për promovimin e leximit dhe publikimit të librave.