Gjatë muajit prill teatri i qytetit të Ferizajt “Adriana” ka zhvilluar katër shfaqje, pavarësisht ndikimit nga pandemia.
Edhe pse teatri është i detyruar të funksionojë me vetëm 20 për qind të sallës apo 52 vende të lira për publikun, kjo nuk e ka penguar teatrin e këtij qyteti që të realizojë shfaqje teatrale.
Megjithatë, drejtori i teatrit “Adriana” Fatmir Hyseni, thotë se buxheti i kufizuar po i pengon në realizimin e shfaqjeve të mëdha.
“Teatrot prej pas luftës dhe kultura në përgjithësi ka qenë e fundit në kuptimin e investimeve. Teatri prej vitit të kaluar ka hyrë në buxhet të rregullt, mirëpo prapëseprapë teatrot e qyteteve e kanë një buxhet të limituar për prodhimtari. Përpos që i kemi rrogat e garantuara që janë linjë buxhetore e veçantë, prapë është mjaft pak për të realizuar shfaqje të mëdha dhe të ketë siguri. Përpos asaj ka shumë probleme burokratike të cilat teatri nuk i duron”, theksoi Fatmir Hyseni.
Drejtoresha e Kulturës në komunën e Ferizajt, Xhemile Murati-Shabani, tregon se teatri i Ferizajt që nga viti i kaluar e ka trupën e rregullt dhe se për herë të parë është pajisur me elementet e nevojshme për teatrin.
“Dihet që teatri “Adriana” deri në këtë vit nuk e ka pasur buxhetin e vet, vitin e kaluar ishte hera e parë kur teatri “Adriana” e ka buxhetin e ndarë. I ka tri kategori: Pagat dhe mëditje, mallrat dhe shërbimet, subvencionet. Shuma totale e bxuhetit është mbi 176 mijë euro. Komuna e Ferizajt ka pasur vështirësi pasi që kostoja për të mirëmbajtur një teatër funksional do të ishte shumë e madhe dhe pa buxhet të veçantë ka qenë e vështirë. Dua të falënderoj aktorët e teatrit që pavarësisht vështirësive në teatër, artistët kanë qenë gjithmonë aktiv dhe vullneti i tyre ka qenë gjithmonë për bashkëpunim dhe për të dhënë emocione për publikun”, tha ajo.
Teatri pritet që të promovohet përmes shkollave të mesme, përmes ligjëratave, por edhe përmes takimeve të aktorëve me nxënësit dhe po ashtu promovimi pritet të bëhet përmes shfaqjeve në ambiente të hapura.