Dita e Tokës në Ferizaj u shënua me aksion për pastrimin e qytetit. Organizatorët dhe vullnetarët u mblodhën para komunës së Ferizajt, ku u pajisën me dorëza e më pas u shpërndanë për të pastruar parkun e ”Liria”, parkun para Spitalit të Ferizajt dhe parkun e Rahovicës.
Organizata studentore Pro-Ars, Sektori i Rinisë së Ferizajt në bashkëpunim me KFOR-in amerikan, morën këtë iniciativë për të vetëdijësuar qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësirat publike.
Njëra nga organizatoret e kësaj iniciative, Leona Jahiri, thotë se aktivitete në mbrojtje të ambientit do të organizojnë edhe gjatë muajve në vijim.
“Kjo është vetëm iniciativa e parë e cila po fillon sot më 22 prill. Ne në kuadër të planit të punës do të kemi edhe iniciativa të tjera për ruajtjen e ambientit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Kemi me ba edhe vendosjen e shportave të mbeturinave në hapësirat e qytetit. Ky është aktiviteti i parë, në muajt e tjerë do të kemi edhe aktivitete të tjera për të mbështetur këtë kauzë”, tha Leona Jahiri, organizatore.
E, Vullnet Ilazi i cili ishte vullnetar në këtë organizim, thotë se kjo simbolikë e pastrimit duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për ruajtjen e mjedisit.
“Qyteti i Ferizajt kuptohet që ka nevojë që të pastrohet më shpesh, e ndoshta edhe çdo ditë, kapacitetet e tona nuk janë të mjaftueshme, besoj që ky aktivitet ka me shërby si simbolikë që me u vetdijësu qytetarët dhe me kontribu në mbrojtjen e ambientit”, u shpreh Vullnet Ilazi, vullnetar.
Dita e Tokës shënohet që nga viti 1970, ditë kjo që filloi pas shpërthimit të një pusi nafte në Kaliforni të SHBA-së, nafta e cili mbyti mbi 10 mijë gjallesa ujore bëri që aktivistët e ambientit të avokojnë për ruajtjen e ambientit dhe të shtyjnë përpara edukimin ambiental.