Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit në në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, gjatë vitit 2020 në Ferizaj nuk i kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pyjeve, duke arritur marrëveshje me dëmtuesit e pyjeve nga të cilët kanë marrë shuma të ndryshme parash.
Ndërsa, të pandehurit S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., dyshohen edhe për kryerjen e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, tek të cilët me rastin e kontrollit nga ana e policisë në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 6 armë gjuetie, 2 armë zjarri (revole), 6 karikatorë të revoles,2 karikatorë të AK-47, 20 fishekë cal. 9mm, 30 fishekë 7.65,4 fishekë cal.12 mm, 13 telefona mobil, 1 çekan për damkosje.