Xhama, goma, shishe të plastikës, qese, patate e madje edhe pjesë të makinës, janë pamjet që e karakterizojnë rrugën e vjetër për në Balaj, e cila gjendet afër kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj.
Madje, kjo deponi ilegale u bë vendstrehim edhe për këta dy këlyshë të vegjël.
Rruga e cila frekuentohet nga banorët e fshatit Balaj është vështirë e kalueshme, për shkak të mbeturinave që janë grumbulluar në të dyja anët e rrugës.
Banorët të cilët nuk deshën të deklarohen para kamerës, u ankuan se personat e pandërgjegjshëm po i hedhin këto mbeturina. Ata patën kritika edhe për institucionet të cilat nuk po e pastrojnë këtë pjesë.
Hiç më mirë se kjo rrugë nuk është as lumi i Nerodimës në fshatin Nerodime të Ferizajt.
Përgjatë lumit ka mbeturina të ndryshme duke filluar nga shishet e deri tek thasët e bërllokut.
Personat të cilët e frekuentojnë këtë vend për piknik, nuk e largojnë bërllokun të cilin e bëjnë vet.
Dikush madje e “pa të udhës” që afër lumit të hedh edhe materiale ndërtimore.
Rruga në lagjen Sherret afër shkollës “Afrim Abazi” gëlon nga mbeturinat në të dyja anët.
Përgjatë kësaj rruge të stërmbushur me mbeturina qarkullojnë çdo ditë nxënësit që vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Për papastërtinë në rrugën ku kalojnë nxënësit, kritika ndaj qytetarëve që i hedhin mbeturinat pati drejtori i shkollës, Mustafë Zejna.
Ai kërkoi bashkëpunim edhe nga banorët që t’i njoftojnë organet kompetente për largimin e këtyre mbeturinave.
“Problem kanë nxënësit sepse mund të ndodhë lloj-lloj mbeturine që mundet me pas edhe pasoja të rënda për frymëmarrje apo edhe ndonjë pandemi apo sëmundje. Duhet pak më tepër me u kujdes kjo pjesë e fshatit në bashkëpunim me mua dhe me ”Pastërtinë“, u shpreh Mustafë Zejna.
E, Gazmend Ismajli, zëvendës i përgjegjësit të operativës në kompaninë e pastrimit “Pastërtia” në Ferizaj, tregon se këto rrugë janë pastruar disa herë por prapëseprapë janë mbushur me mbeturina.
“Jemi në bisedime me Kuvendin Komunal dhe besoj që shumë shpejt kemi me marrë masa aty dhe t’i eliminojmë ato deponi, sepse zakonisht ato deponi shumë shpesh po na përsëriten nga mosedukata”, theksoi Gazmend Ismajli.
Ismajli apeloi tek qytetarët që të drejtohen tek komania “Pastërtia” dhe tek Komuna e Ferizajt që t’iu bëhet zgjidhje për mbeturina, e jo të hedhen vend e pa vend.