Qentë endacakë vazhdojnë të jenë njëri ndër problemet më serioze me të cilin po përballen qytetarët e Ferizajt. Ndër më të rrezikuarit janë nxënësit të cilët shkojnë nëpër shkolla.
Lidhur me këtë problem, drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami thotë se deri në muajin prill, kur presin ta nënshkruajnë kontratën për menaxhimin e qenve endacakë, nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim pasi në dorë këtë çështje e ka Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
“Në vitin 2018 kur ne ishim kompetent kemi trajtuar numër të madh të qenve endacakë dhe disi e zbutëm problematikën e këtyre qenve gjatë atij viti, por me një vendim të kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj kjo kompetencë kaloi tek AUK dhe deri në prill kjo kompetencë është e tyre, ata e kanë bërë punën e vet, por prapë numri i qenve endacakë është problem. Si Drejtori e Bujqësisë në fund të prillit do të nënshkruajmë kontratën me një operator ekonomik brenda komunës sonë dhe kjo kompani do ta ketë obligim që të merret me qentë endacakë“, tha Bajrami.
Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, fajëson edhe qytetarët për sjelljen që bëjnë ndaj qenve endacakë.
”Mungon edhe një informim i veçantë për mënyrën e sjelljes ndaj kafshëve, mund të shkojmë në secilën strehimore dhe të futemi brenda tyre dhe mos të kemi telashe, por ekziston frika tek njerëzit që në momentin kur hasin në qenë endacakë përdorin mjete të ndryshme dhe i sulmojnë ata për t’i larguar nga rruga dhe normalisht kjo shfaq agresivitetin e tyre dhe sulmet e tyre ndaj njerëzve”, thotë Bajrami.
Në komunën e Ferizajt është premtuar edhe ndërtimi i një strehimoreje për qentë endacakë, por që drejtori Bajrami tha se do ta bëjnë publike vetëm atëherë kur të kenë përfunduar procedurat për këtë projekt.
Në anën tjetër, në drejtorinë regjionale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Ferizaj nuk pranuan të flasin për këtë problem duke thënë se nuk kanë të drejtë të japin prononcime, derisa kontakti me zëdhënësin e kësaj agjencie Lamir Thaçi ishte i pamundur.