Rrjeti i organizatave joqeveritare “AVONET” edhe këtë vit bëri bashkë përfaqësuesit e institucioneve në Ferizaj për të pirë ”Kafenë e Miqësisë dhe Falënderimit” në shenjë përkujtimi për bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe.
Drejtori i “AVONET”-ti Kenan Gashi, tha se kjo datë është e pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“AVONET-i këtë ditë e ka shënuar që sa vite dhe këtë ditë e kemi quajtur ditë të kafesë së miqësisë dhe falënderimeve ndaj forcave të NATO-s dhe të gjitha institucionet që kanë qenë duke kontribuar në ndërtimin e shtetit. Kjo ditë është ditë historike për Kosovën pasi shpresa e vetme e jona ka qenë të presim këtë ditë”, tha Gashi.
Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, shprehu mirënjohje për të rënët për liri dhe për SHBA-të.
“Është kënaqësi që kemi këtu edhe veteranë të UÇK-së dhe që praktikisht më 24 mars ishte bashkim forcash për të bërë atë që ishte e munguar, liria, përpjekjet nuk kishin munguar asnjëherë për lirinë, por duhej bashkim forcash dhe pikërisht ishte UÇK-ja, ishin dëshmorët e invalidët që e kthyen vëmendjen e gjithë globit për të bërë këtë bashkim forcash që të arrihej liria, prandaj sot ne falenderojmë SHBA-të dhe jemi të bekuar për këtë miqësi që e kemi me ta”, tha Aliu.
Ky organizim i AVONET-it iu pëlqeu edhe përfaqësuesve të KFOR-it amerikan, të cilëve iu ndanë mirënjohje nga nikoqiri i këtij takimi.
“Dua të falënderoj të gjithë për bashkëpunimin e deritanishëm që e kemi pasur, faleminderit edhe për këtë aktivitet të sotëm“, tha Casidy Hoëard, rreshter amerikan.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Havier Solana, kanë filluar sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, atëbotë president i Serbisë, është dorëzuar në qershorin e vitit 1999 dhe ka pranuar Marrëveshjen e Kumanovës, ndërsa më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit ka miratuar Rezolutën 1244, përmes së cilës ka vendosur administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe ka fuqizuar praninë ushtarake të KFOR-it.