Nxënës të shkollave fillore të Ferizajt vizituan Fabrikën e Ujit në Pleshinë me rastin e Ditës Botërore të Ujit, për të mësuar më shumë rreth kësaj fabrike që furnizon Ferizajn me ujë të pijshëm, si dhe për t’u njoftuar për rëndësinë e ujit dhe shfrytëzimin e arsyeshëm të tij.
“M’u duk shumë mirë këtu, nuk kam pas paramendime për këtu, uji është shumë i shëndetshëm, unë mendoj se është më i shëndetshëm se çdo lëngë tjetër”, tha nxënësja Riga Bytyqi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kompanisë “Bifurkacioni” në Ferizaj, Nazif Asllani, bëri thirrje tek qytetarët që të mos e keqpërdorin ujin.
“Llogoja e sivjetme është ”Ta çmojmë ujin”, pasi për çdo vit jemi dëshmitarë që sasia e ujit të pijes për çdo vit vie duke u zvogëluar, kështu që mesazhi i krejt kësaj është ta ruajmë ujin dhe ta përdorim sa më racional, të kujdesemi për natyrën e resurset ujore dhe qëllimi i krejt kësaj është që të bëhet një kujdes sa më i madh i ujit”, tha Asllani.
Asllani garanton qytetarët se uji që del nga kjo fabrikë është i cilësisë së lartë.
“Unë me përgjegjësinë më të madhe mund të them që uji që del nga fabrika është i kualitetit më të lartë dhe i cilësisë më të lartë, këtë e konfirmon edhe Instituti i Shëndetit Publik që merr mostra çdo ditë dhe uji rezulton që është i nivelit kualitativ, do të thotë garantoj që uji është i cilësisë shumë të mirë”, tha Asllani.
Dita Botërore e Ujit është shënuar me 22.03.1993. Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijes.