21 marsi nuk është vetëm Dita e Pranverës, por edhe Dita Botërore e Sindromës Down.
E, meqë kjo datë sivjet i bie në ditë vikendi, shoqata Down Syndrome Kosova në Ferizaj, ka vendosur që mos ta lë pa e shënuar ditën botërore të këtyre personave. Në hapësirat e kësaj shoqate në Ferizaj, gjatë ditës së sotme u organizuan disa aktivitete.
Udhëheqësja e kësaj shoqate Yllka Mani, kërkoi nga institucionet që të mendojnë më shumë për këtë kategori të shoqërisë.
“Sfida fillon tek fondet pasi aty është pengesa për të rritur kapacitetet tona, unë i bëj thirrje komunës që të ofroj mbështetje më të madhe, pasi disa shërbime që ne i japim këtu ka qenë dashur të jepen nga shteti, prandaj i ftoj institucionet dhe bizneset që t’i ndihmojnë këto shoqata”, tha Mani.
E, prindërit e fëmijëve me Sindromën Down theksuan nevojën e sigurimit të transportit për fëmijët që marrin shërbime në qendrën në Ferizaj.
“Transporti është nevojë shumë e madhe për prindërit, unë nga Vitia e kam sjell këtu vajzën time, tani jam zhvendosur në Ferizaj por i di vështirësitë, prandaj tani nuk është kërkesë e imja, por është kërkesë e prindërve të tjerë, nëse sigurohet transporti për prindërit është më e lehtë”, tha Behare Shaqiri.
Për nder të kësaj dite, nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, kishin përgatitur disa mesazhe që u dedikohen fëmijëve me Sindromën Down.
“Mongolizmi quhet një mutacion gjenetik i veçantë tek njeriu tek i cili posedon kromozomin e 21. Është një çrregullim kromozomesh që vjen si rezultat i vonesës së zhvillimit fizik, intelektual dhe gjuhësor“, tha një nxënëse.
“Ne duhet që të gjithë njerëzit t’i afrojmë afër nesh, mos t’i përqeshim e t’i ndajmë, ata janë si ne”, tha një nxënëse tjetër.
Mesazhe që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë për personat me Sindromën Down, kishin përgatitur edhe vet ata që marrin shërbime në qendrën në Ferizaj.
“Ne kemi të drejta”, “Unë shkoj në shkollë”, “Unë punoj në kafeteri”, “Unë shkoj vet në punë”.