Qytetarët e Ferizajt nga sot mund të kryejnë teste të shpejta për Covid-19 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, me udhëzim të mjekut. Testimi bëhet çdo ditë nga e hëna deri të shtunën nga ora 09:00 deri në 12:00, në objektin e vjetër të Institutit Rajonal të Shëndetit Publik. Rezultatin e këtyre testeve qytetarët mund ta marrin pas 2 orëve.
Laboratori i QKMF-së ka në dispozicion 5 mijë e 200 teste, që sipas punonjësve të këtij institutioni, kjo sasi mund të shpenzohet shumë shpejt pasi interesimi i qytetarëve është i lartë.
“Sot kemi filluar si duhet, kemi pasur mjaftë pacientë, mirë po shkon, ka raste pozitive që po dalin, por shumica dalin negative. Qytetarët nëse kanë simptoma duhet të lajmërohen tek mjeku dhe të marrin udhëzim, më pas vijnë këtu tek ne, ndërsa pas 2-3 ore del rezultati”, tha Milikije Abazi, laborante.
Pak metra larg vendit ku po bëhen testet rapide për koronavirus, gjendet Qendra e Transfuzionit të Gjakut. Këtu po bëhet apel që të dhurohet gjak, e sidomos nga pacientët të cilët e kanë kaluar Covid-in, pasi nevoja për plazma të gjakut është shumë e madhe.
“Edhe pse kemi bërë thirrje që të lajmërohet çdo njeri që e ka kaluar Covidin, prapë ka mungesë të tyre, ndërsa kemi kërkesa të shumta për gjak. Nuk e di se ku është problemi pasi çdoherë që kemi bërë kërkesë për gjak janë lajmëruar të gjithë, por kësaj here nuk paraqiten dhuruesit”, tha Merita Qerimi-Tërshana.
Trajtimi i pacientëve me Covid-19 me plazmë të gjakut bëhet duke e marrë atë nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me Covid-19. Megjithatë jo të gjithë personat e shëruar nga Covid-19 mund të dhurojnë plazmën, por vetëm ata që kanë më shumë se 50 antitrupa.