Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka nisur vaksinimin kundër Covid-19, edhe pse është paralajmëruar se vaksinat e para do të vijnë gjatë muajit shkurt.
Por, përveç vonesës së vaksinimit, qytetarëve të Kosovës nuk po u jepet me kohë as ilaçi “Favipiravir” që në disa vende të botës po tregon rezultate pozitive në kurimin e kësaj sëmundjeje.
Në Kosovë ky ilaç u jepet pacientëve vetëm atëherë kur gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar, derisa tentativa e parë për ta kaluar koronavirusin është përmes terapisë që përmban vetëm vitamina e paracetamol.
Hesat Shatrolli, mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, thotë se protokolli i mjekësisë familjare nuk ua lejon përdorimin e ndonjë terapie tjetër, ndërsa në Spitalin e Ferizajt thanë se ”Favipiravirin” ua japin pacientëve të cilët kanë gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e infektimit me Covid-19.
“Protokolli në mjekësi familjare trajtohet vetëm me vitamina dhe antipiretik kundër temperaturës dhe dhimbjeve dhe nëse ka indikacion për antibiotik oral këtu përfundon ajo terapia në mjekësinë familjare. Realisht ka efekt pasi shumica e pacientëve e kalojnë me simptoma të lehta”, tha Shatrolli.
Shatrolli nuk e konsideron të lartë numrin e pacientëve të shtrirë nëpër spitale dhe numrin e të vdekurve, në krahasim me numrin e të infektuarve në vend.
“Në krahasim me numrin total të të infektuarve atëherë i bie që 6% kërkojnë trajtime spitalore, nuk besoj që është numër i madh i të shtrirëve në spital, pasi nëse marrim mbi 10 mijë pacientë të infektuar në spital nuk janë të shtrirë as mbi 1 mijë pacientë, që do të thotë se numri është i vogël, po ashtu edhe numri i të vdekurve nuk është i lartë nëse e krahasojmë me përqindjen e të infektuarve në Kosovë”, tha Shatrolli.
Disa vende të botës të cilat janë duke e përdorur ilaçin ”Favipiravir” kundër koronavirusit, kanë theksuar se efekti i tij është shumë i shpejt.