Një vit më parë në Kosovë nisën të zbulohen rastet e para me Covid-19, duke bërë që në vend të vendosen edhe masa kufizuese për të mbajtur nën kontroll ritmet në rritje të përhapjes së virusit, i cili vazhdon të jetë prezent edhe sot.
Përgjatë një viti pandemia pati ndikimin e saj jo vetëm në shëndetin e njerëzve, por dhe tek bizneset.
Agon Zhinipotoku përfaqësues i gastronomëve në Ferizaj, thotë se më së shumti humbje iu shkaktua këtij sektori.
“Një vit shumë i rëndë, sektori që më së shumti ka humbur ishte sektori i gastronomisë, ka pasur mungesë të përkrahjes, largim të punëtorëve dhe tani po flitet edhe për një mbyllje të dyë që për neve do të jetë katastrofike. Përveç këtyre ne jemi përballur edhe me dënime të cilat kalojnë shifra të larta, por ajo që neve na bënë mos me besu është që gjatë fushatës politike kishte tubime politike dhe nuk ishte numri i lartë i të infektuarve, ndërsa tani me të përfunduar zgjedhjet u rritën rastet”, tha Zhinipotoku.
Masat kufizuese bën që disa biznese të jenë totalisht pasive, siç janë sallat e dasmave.
“Ne kemi investu në dy objekte dhe realisht në vitin që shkoi nuk i kemi shfytëzur fare dhe vetëm kemi investuar e nuk kemi marrë asgjë, ndërsa pas atji investimi tani është presioni i bankave, pasi ato investime i kemi bërë me hua”, tha Meriton Muhaxheri, pronar i sallës së dasmave ”Eleganti”.
Moslejimi i ahengjeve familjare ka ndikuar edhe në buxhetin e këngëtarëve.
“Ka ndikuar mjaft keq edhe tek ne këngëtarët, na ka dëmtuar mjaft shumë, brenda këtij viti sa nuk kemi pasur dasma e ahengje ka qenë mjaft e vështirë edhe për ne, pasi unë e mbaj familjen me këtë profesion dhe nëse ndodhë edhe një mbyllje tjetër do të jetë mjaft e vështrirë“, tha Liridon Sadriu këngëtar.
Përveç ndikimit në shëndetësi e në ekonomi, pandemia rriti edhe numrin e rasteve të dhunës në familje, ku gjatë një viti u raportuan dhjetëra raste në Policinë e Ferizajt.