Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, gjatë një vizite që i bëri Spitalit të Ferizajt, tha se Kosova po hynë në një valë të re të pandemisë Covid-19, andaj kërkoi që të respektohen masat anti-Covid.
“Kosova po hynë në një fazë të re të një shpërthimi të mundshëm epidemik. Shifrat po shihen që kanë shënuar rritje dhe po ashtu gjatë 10 ditëve të fundit ne kemi 150 pacientë më shumë të shtrirë nëpër spitalet tona. Përderisa më 1 mars kishim 528 pacientë të shtirë në nivel të Kosovës, sot kemi 674 pacientë të shtrirë. Ne në QKUK dje jemi detyruar të krijojmë hapësia të tjera dhe kemi filluar të lirojmë edhe klinikat e bllokut internistik pasi tashmë kapacitet e klinkës së sëmundjeve infektive, të pulmologjisë dhe objektit të mjekësisë sportive tani më janë plotësuar, prandaj duhet shtuar kujdesi dhe po e përsëris prapë virusi hynë në organizëm nëpërmjet mukozës së gojës dhe hundës dhe nëse ne i kemi të mbuluara gojën dhe hundën dhe nuk i prekim me duar dhe nuk jemi në kontakt të afërt me personat me simptoma mundësia e marrjes së virusit është më e vogël”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Ferizajt Jeton Zeqiri, tha se në këtë spital janë të shtrirë 35 pacientë dhe se situata është e menaxhueshme.
“Gjendja në spitalin tonë është e menaxhueshme, ne i e kemi 35 pacientë të hospitalizuar, ne jemi në vazhdimësi duke e përcjellur situatën dhe ditët në vijim me rastin e rritjes së rasteve do të krijojmë hapësira, kështu që i garantojmë qytetarët që të gjithë do të marrin shërbime dhe nuk ka nevojë të ketë panik sa i përket hospitalizimit”, tha Zeqiri.
Drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, shtoi se Spitali i Ferizajt së shpejti do të bëhet me aparaturë të CT-së.
”SHSKUK-ja bazuar në kompetencat dhe mundësitë e veta të gjitha spitalet i trajton në mënyrë të barabartë, ne kemi bërë furnizme të mjaftueshme gjatë këtij viti të fundit qoftë me pajisje mjekësore duke përfshirë monitorë e respiratorë, po ashtu kemi vendos që në Spitalin e Ferizajt të sjellim edhe një aparat të CT-së për herë të parë që prej vitit 1999 nuk ka në Spitalin e Ferizajt, por edhe pajisje të tjera mjekësore të nevojshme. Sa i përket barnave dhe materialit shpenzues ne kemi arritur ta stabilizojmë këtë shërbim”, tha Krasniqi.
Krasniqi ndër të tjera tha se e kanë përgatitur planin e vaksinimit duke përcaktuar edhe qendrat se ku do të bëhet vaksinimi.