Lulzim Abazi i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, por që nuk arriti të siguroj vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e Parlamentit, po akuzon Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që nuk i ka marrë parasysh ankesat e tij për vjedhje të votave.
“Fakt më i mirë se që ka ndodhë me rinumërimin që ka bërë vet KQZ-ja në disa vendvotime një prej tyre që ka qenë në Komogllavë klasa e katërt, në atë klasë janë 6 vota që janë zbuluar që më janë marrë mua dhe kanë shkuar për kandidatin tjetër, prandaj nuk e di se cili është fakti më i madh që ata vet e kanë konstatu që ka pas keqpërdorime kur është bërë numërimi i votave, prandaj fakti që aq shpejtë jemi thirr për me i tërheq vendimet mua më duket që fare nuk është marrë parasysh ankesa ime, madje kur është tërheq vendimi aty kanë thënë se nëse i pranojmë të gjitha ankesat atëherë nuk do të mund t’i certifikojmë zgjedhjet as për 6 muaj”, tha Abazi.
Ngjashëm shprehet edhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, Fadil Halili. Edhe Halili thotë se ka dorëzuar fakte që dëshmojnë se ka pasur manipulim me vota, por që PZAP-i i ka kthyer përgjigje negative.
“Unë i kam bërë tri ankesa në PZAP, por fatkeqësisht dje më janë përgjigjur negativisht duke thënë se nuk kam bazë, ndërsa bazë kanë qenë vet votuesit që i kam familjarë dhe e kam sigurinë e plotë se ata kanë votuar aty. Po ashtu kam informacione edhe për dy vendvotime që është bërë shkelje shumë e rëndë. Në shkollën “Ahmet Hoxha” një kandidate Bulza Kuqi e Suharekës ka marrë 75 vota, ndërsa LDK-ja aty i ka pas 27 vota dhe kjo tregon se ka pasur shkelje të rënda, po ashtu në Prizren në bazë të informatave që kam marrë, aty i kam pasur 91 vota, ndërsa çuditërisht në rezultatin përfundimtar del që unë në Prizren i kam 18 vota dhe kjo dëshmon se është vjedhje e hapur e votës”, tha Halili.
Abazi e Halili thonë se janë të zhgënjyer nga vendimi i këtij institucioni, për të cilin kërkojnë të bëhet hetim i veçantë.
“Qëllimi i këtyre ankesave ka qenë që të kërkojmë që drejtësia të shkoj në vend, qëllimi jonë është të mësohemi që t’iu besojmë institucioneve siç është KQZ-ja dhe PZAP-ja dhe gjithë atyre që janë të thirrur me çu drejtësinë në vend “, tha Halili.
“Është zhgënjim me të vërtet dhe derisa ne mos ta ndryshojmë mënyrën e numërimit të votave gjithmonë do të shkoj kështu dhe unë mendoj që është një gjë që duhet në të ardhmen të rishikohet se çfarë po ndodhë në KQZ, sepse atje nuk është duke funksionuar diçka“, tha Abazi.
Ankesë në PZAP ka bërë edhe kandidatja Saranda Musliu nga LDK-ja, të cilës i është kthyer ankesa e pabazuar.