Biznesmene, arkitekte, mësimdhënëse, artiste, sportiste e gra të profesioneve të tjera, u priten sot në takim nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Kristina Gashi-Bytyçi.
Në këtë takim të organizuar për nder të Ditës së Gruas, Bytyçi tha se fuqizimi i femrës është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
“Në Ferizaj kemi Hyrë Eminin e cila është një nga intelektualet dhe luftëtaret e shquara që krenohemi të gjithë me të dhe kjo dëshmon se gratë kanë qenë të barabarta dhe duhet të jenë të barabarta në të gjitha fushat, po ashtu edhe në biznes duhet fuqizimi i gruas, pasi zhvillimi i shtetit tonë varet nga zhvillimi ekonomik dhe kjo arrihet edhe përmes gruas“, tha Gashi-Bytyçi.
Ndërkaq, pjesëmarrëset e këtij takimi kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet.
“Femrat në biznes kanë humë nevojë për përkrahje, si për financim, përkrahje morale e trajnime të ndryshme. Unë në biznesin tim jam munduar me i dhënë përparësi femrave dhe uroj që të ketë sa më shumë gra biznesmene, pasi femrat mund të udhëheqin thujase çdo biznes”, tha Afërdita Hoxha, biznesmene.
Femra apragjykohet shumë në shoqërinë tonë, unë jam arkitekte dhe ka ndodhë që kam shkuar në një vendpunishte ku kanë qenë 30 punëtorë dhe jam shikuar me një sy ndryshe, në atë kuptimin se kush është kjo me na shitë mend neve, prandaj këto paragjykime duhet të marrin fund“, tha njëra nga pjesëmarrëset.
8 Marsi është shpallur Ditë Ndërkombëtare e Gruas nga Kombet e Bashkuara me qëllim kremtimin e rolit të gruas në histori si dhe luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim.