Aktorë, gazetarë, kameramanë e kuratorë ishin ndër 53 pozitat e ndryshme të cilat ishin shpallur në tenderin e komunës me emrin “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e komunës së Ferizajt”. Përmes këtij tenderi komuna e Ferizajt planifikonte t’i punësonte 53 persona përmes operatorëve ekonomik, tender ky që buxhetit të Ferizajt do t’i kushtonte më shumë se gjysmë milioni euro.
Por, ditë më parë komuna njoftoi se e ka anuluar këtë kontratë që e kishte nënshkruar me operatorin “ECO&CONTO”, pa dhënë ndonjë arsyetim.
Arbenita Topalli nga organizata joqeveritare ”Inciativa për Progres”, thotë se qysh në fillim kishin dyshime për këtë tender duke marrë parasysh që komuna po kërkonte zyrtarë të cilët tashmë i ka në komunë, ndërsa shkeljen më të rëndë thotë se e bëri kur tejkaloi vlerën inicuese për më shumë se 250 mijë euro.
“Në brendi të këtij aktiviteti ne kemi vërejtur se ka shkelje ligjore për arsye se në brendi të dosjes së tenderit mungojnë specifikacionet e shërbimeve. Në këtë rast i binte që kompania që do të kontraktohej do të kryente shërbime që nuk kryhen në komunë, por që realisht ato pozita që figurojnë në konkursin e operatorit veçse ekzistojnë në komunë dhe këtë të drejtë e ka vetëm komuna t’i hap këto konkurse. Po ashtu, kemi rastin që ky aktivitet me planin e prokurimit është planifikuar të jetë në vlerë prej 500 mijë euro, ndërsa me inicimin e kësaj procedure është rritur çmimi deri në 750 mijë euro, që do të thotë se automatkisht ka shkelje“, tha Topalli.
Topalli konsideron se nuk është i mjaftueshëm vetëm anulimi i tenderit, por kryetari i komunës duhet të kërkoj llogari nga personat që u morën me këtë tender.
‘Ne e mirëpresim një veprim të tillë të kryetarit, por konsiderojmë që kryetari nuk duhet të mjaftohet me këtë veprim edhe presim që të angazhohet dhe të kërkoj llogari nga zyrtarë apo persona që e kanë bërë këtë aktivitet të kundërligjshëm dhe të sigurohet që paraja publike është duke u menaxhuar në mënyrë ligjore”, tha Topalli.
Shoqëria civile në Ferizaj dyshon se nga kontrata që veçse ishte nënshkruar me operatorin ekonomik “ECO&CONTO”, ekzekutivi po planifikonte të bënte punësime për të rehatuar militantët partiak pikërisht në vitin zgjedhor që tashmë jemi .
Për këtë tender, Televizioni Tema ka disa javë që po tenton të marrë një përgjigje nga inicuesja e këtij tenderi, Drejtoria e Administratës, por udhëheqësja e kësaj drejtorie Aurora Ramadani ka refuzuar të prononcohet me arsyetimin se ka mungesë të informacioneve për këtë tender.
Ekipi ynë ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga udhëheqës të Zyrës së Prokurimit dhe nga nënshkruesi i këtij tenderi nënkryetari i komunës Arton Gavazi, mirëpo një gjë e tillë ishte e pamundur.