Ditëve të fundit Ferizaj është mbushur me mbeturina. Rreth kontejnerëve janë krijuar grumbuj mbeturinash për shkak se në vendin e destinuar për to më nuk ka vend. E gjithë kjo, sipas kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, po ndodhë për shkak të prishjes së makinerive dhe disa kontejnerëve nëntokësor.
”Është e vërtet që ditëve të fundit ka pasur telashe pak më të mëdha, sidomos tek pjesa e kontejnerëve nëntokësor, por mund t’iu them që disa nga kontejnerët nëntokësor nuk janë funksional dhe se kemi vetëm një kamion të vetëm që e posedon pajisjen për zbrazjen e këtyre kontejnerëve nëntokësor dhe të cilin e kemi pasur në defekt. Ne sot veçse jemi duke u marrë intensivisht me riparimin e atij kamioni dhe po besojmë se më së shumti brenda dy-tri ditëve do të jetë funksional dhe nuk do të ketë problem të zbrazjes së kontejnerëve“, tha drejtori i kompanisë “Pastërtia”, Dukagjin Hetemi.
Edhe pse orari për marrjen e mbeturinave shpeshherë nuk respektohet as nga vetë punëtorët e kësaj kompanie që merren me grumbullimin e tyre në qytet dhe fshatra, Hetemi bën thirrje tek qytetarët që ta respektojnë orarin për hedhjen e mbeturinave.
“Apelojmë tek qytetarët që orarin e hedhjes së mbeturinave ta respektojnë, sepse në çdo cep të qytetit është edhe tabela e orarit të hedhjes së mbeturinave dhe lloji i mbeturinave që hedhet, sidomos në kontejnerët nëntokësor, sepse janë me një peshë 3 metra kub dhe në rast se hedhen siç ndodhë pallka të qeramikës e beton është i pashmangshëm dëmtimi i tyre dhe është gati se e pamundur nxjerrja e atyre mbeturinave. Po ashtu, një çështje tjetër që duhet ta themi është se kur ndodhë vonesa në marrjen e mbeturinave na shkakton probleme çështja e deponisë, pasi ne detyrohemi që t’i bartim mbeturinat në fshatin Velikincë të Gjilanit ku është deponia atje dhe në momentin që ne e nisim kamionin për në Gjilan atëherë ç’rregullohet orari i marrjes së mbeturinave dhe krijohen vonesat”, tha Hetemi.
Kjo nuk është hera e parë që në Ferizaj krijohen deponi me mbeturina kudo nëpër qytet. Kjo gjendje po përsëritet për të disatën, jo vetëm për shkak të problemeve teknike, por edhe nga bojkoti i punës nga ana e punëtorëve të kësaj kompanie.