Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës Danush Ademi, i ka bërë thirrje komunitetit të tij që të dalë masovisht në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen këtë të diel.
Ademi thotë se humbja e PDAK-së në zgjedhjet e kaluara ka qenë humbje e madhe për komunitetin ashkali.
“Neve qytetarët po na thërrasin dhe mungesa e mospërfaqësimit në parlamentin e Kosovës gjatë një viti e gjysmë ka tingëlluar shumë dobët tek qytetari. Mund të them lirisht që humbja që i ka ndodhur PDAK-së tek ashkalinjtë ka qenë ditë zie, sepse PDAK-ja ka qenë mostër dhe shembull për komunitetin ashkali në Kosovë. PDAK-ja nuk i ka humbur zgjedhjet në 2019, por me votat e gabuara dhe me aplikacionet e gabura që i ka shtypur KQZ-ja neve na kanë humbur votat”, tha Ademi.
Ademi shprehet i bindur në fitoren e PDAK-së, pasi thotë se në këto zgjedhje po garojnë me një listë të kandidatëve që janë të pastër para ligjit.
“Këtë të diele presim që Kosova të ketë festë, kësaj radhe si asnjëherë më parë nuk ka pasur kandidatë më të pastër në listë, e njerëz të pa korruptuar. Ligji i ka pastruar disa gjëra që tek syri i qytetarit të gjithë kandiatët që garojnë janë kandidatë të pastër sa i përket çështjes së korrupsionit dhe të pastër para ligjit”, tha Ademi.
PDAK-ja ka hartuar edhe programin qeverisës.
“Subjekti jonë politik gjithmonë ka dalë me program. Pika e parë është sundimi i ligjit, arsimi, shëndetësia, përmirësimi i kushteve të banimit, kulturë, rini dhe sport, punësimi dhe mirëqenia sociale, bujqësia, zhvillimi ekonomik, infrastruktura si dhe e kemi një pikë të veçantë për diasporën dhe pandeminë”, tha Ademi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës pati edhe një mesazh për komunitetin e tij .
“Të gjitha të mirat materiale e financiare që i’u ofrojnë subjektet tjera politike pa dallim, merrni të gjitha, mos i kundërshtoni, por votën hedhnjani PDAK-së”, u shpreh ai.