Demokrati Joe Biden është inauguruar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.
Kamla Harris po ashtu ka bërë betimin si nënpresidente. Harris është nënpresidentja e parë grua dhe me ngjyrë në historinë e SHBA-së. Ajo bëri betimin para gjykatëses së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor.
Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që ka marrë detyrën.
Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara.
Ceremonia e inaugurimit sivjet ishte ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo u zhvillua nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.
Pjesëmarrja e publikut në inaugurim ishte po ashtu rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenti në largim, Donald Trump, nuk ka marrë pjesë në ceremoni. Ai është presidenti i parë në 152 vjet që nuk merr pjesë.
Trump nuk e ka pranuar kurrë humbjen kundrejt Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit.