Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot u zyrtarizua garimi përbashkët i Vetëvendosjes me Listën e Vjosa Osmanit, me ç’rast ish-kryeministri Albin Kurti dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, firmosën marrëveshjen siç u tha për “referendumin” e 14 Shkurtit.
Pas nënshkrimit, gazetarëve fillimisht iu drejtua kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili me këtë rast tha se kjo marrëveshje e”Synimeve dhe Parimeve” ka për qëllim ndërtimin e shtetit “të drejtë e pa korrupsion”, ndërsa më 14 Shkurt do të “legjitimohet kryeministri i ri dhe presidentja e re”, duke bërë të ditur se se Vjosa Osmani është njëkohësisht edhe kandidate për Presidente të vendit.
Ndërkaq presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, në adresimin e saj tha se marrëveshja e arritur paraqet vullnetin e qytetarëve të Kosovës, dhe se ky bashkim shkon përtej numrave, me qëllim të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë konferencë poashtu u bë e ditur se lista e përbashkët e kandidatëve për deputetë do të finalizohet dhe do bëhet publike të shtunën, më 16 Janar, kur është edhe afati i fundit ligjor për dorëzimin e listave në KQZ.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari me iniciale V. N për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës.
“I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A. dhe SH.A., si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S.”, thuhet në njoftim
Për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria thotë se janë “ plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata Speciale ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun, vëllain e heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Në njoftimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar bëhet ditur se operacionet e saj në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Ish kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ishte arrestuar edhe më parë, në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua me kusht. Aktakuza e ndryshuar ndaj tij u ngrit më 28 qershor.
Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.
Vitin e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati bastisur shtëpinë e Bashkim Smakaj dhe atë të Fadil Fazliut.
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.