Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nënshkruar “Marrëveshje për Zotimet dhe Parimet” e bashkëqeverisjes së tyre, pas “referendumit” të 14 shkurtit, siç u shprehën ata sot në hollin e Kuvendit të Kosovës, duke iu referuar datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
Në vazhdim po e sjellim përmbajtjen e këtij dokumenti:
“Të vendosur për luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakusht thelbësor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend;
Të bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më premtuese për të gjithë kur qytetarëve u garantohen të drejta të barabarta, investohet në arsim e shëndetësi, si dhe kur interesat e qytetarëve janë në qendër të politikbërjes në vend;
Të zotuar që Kosova të jetë vend ku të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe qytetarët të gëzojnë mirëqenie të mirëfilltë dhe jetë me dinjitet;
Të fokusuar në luftimin e pandemisë dhe të përkushtuar për adresimin e pasojave ekonomike me qëllim të rimëkëmbjes;
Të përkushtuar për zgjerimin e bashkëpunimit politik afatgjatë në nivel qendror dhe lokal;
PALËT ZOTOHEN PËR:
1. Prioritizim të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë me vettingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejtë luftimit të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
2. Prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, duke i orientuar investimet dhe planifikimin buxhetor kah sektori i shëndetësisë, mbrojtja e mjedisit, digjitalizimi, investimi në kapital njerëzor, nxitja e prodhimit vendor me qëllim të përqafimit të një koncepti zhvillimor ekonomik të qëndrueshëm inovativ.
3. Përkushtim të plotë që personat që do të udhëheqin dikasteret qeveritare të jenë të kualifikuar, kompetent dhe me integritet dhe se do të ketë pajtim në mes të palëve lidhur me emrat që do t’i udhëheqin këto dikastere bazuar në kriteret e mësipërme.
4. Rishikim dhe miratim të legjislacionit vendor si dhe zbatim me përgjegjësi të reformave të nevojshme në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit të Republikës së Kosovës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
5. Angazhim për përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
6. Respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mos mbështetje të asnjë nisme që cenon rregullimin kushtetues, integritetin territorial, parimin e unitaritetit të shtetit dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
7. Rishikim të përfaqësimit dhe organizimit të shërbimit diplomatik me qëllim të përfaqësimit të dinjitetshëm të vendit në nivel ndërkombëtar;
8. Ruajtje dhe kultivim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë dhe investim në zgjerimin dhe avancimin e aleancave të tashme dhe të ardhshme;
9. Synim të arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera;
10. Vendimmarrje me konsensus dhe marrëveshje paraprake për proceset strategjike në vend.”
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari me iniciale V. N për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës.
“I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A. dhe SH.A., si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S.”, thuhet në njoftim
Për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria thotë se janë “ plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata Speciale ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun, vëllain e heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Në njoftimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar bëhet ditur se operacionet e saj në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Ish kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ishte arrestuar edhe më parë, në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua me kusht. Aktakuza e ndryshuar ndaj tij u ngrit më 28 qershor.
Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.
Vitin e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati bastisur shtëpinë e Bashkim Smakaj dhe atë të Fadil Fazliut.
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.