Viti 2020 ishte vit i vështirë në të gjitha aspektet, si në rrafshin ekonomik, social e politik. Nga ky vit sfidues përfaqësuesit e partive politike në Ferizaj po urojnë që viti në të cilin po hyjmë të jetë vit i kthimit në normalitetet.
“Një vit i cili do të mbahet mend si vit i humbjeve të mëdha edhe për qytetin e Ferizajt sa i përket figurave eminente të Ferizajt të cilët për shkak të Covid-19 sot e kanë varfëruar jashtëzakonisht shumë pasurinë e përgjithshme të këtij qyteti dhe kanë krijuar boshllëqe, por megjithatë unë dëshiroj që të hymë në një vit të mbarë nga i cili presim që t’i kthehemi normalitetit edhe përmes vaksinimit të popullsisë, por edhe përmes përpjekjeve tona të përbashkëta për krijimin e kushteve më të mira për mirëqenie ekonomike dhe sociale”, tha Muharrem Svarqa, kryetar i LDK-së në Ferizaj.
” Ky vit ishte vit me sfida për shkak të pandemisë e cila ka kapluar gjithë globin dhe shfrytëzoj rastin që t’iu shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që humbën të dashurit e tyre nga kjo sëmundje, ndërsa uroj të gjithë ata që kanë qenë afër dhe na kanë ndihmuar si mjekët, policia, zjarrfikësit, punonjësit e arsimit e të gjithë ata që ishin në vijë të parë. Sfidë tjetër ishte edhe ajo politike, ka pasur rrëzim të qeverisë dhe tani jemi afër zgjedhjeve dhe uroj që viti 2021 të jetë vit i mbarë në të gjitha aspektet edhe atë politik dhe ekonomik“, tha Valon Ramadani , kryetar i LVV-së në Ferizaj.
“Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj uroj festat e fundvitit duke dëshiruar që të kemi shëndet e mirëqenie në vitin 2021 duke pasur parasysh që viti 2020 ka qenë vit sfidues për shkak të pandemisë Covid-19, andaj uroj që viti 2021 të jetë vit i mbarë për të gjithë qytetarët e komunës së Ferizajt”, tha Arton Gavazi nga AAK-ja.