Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar pengesa të mëdha në funksionimin e ekonomisë gjatë këtij viti, duke bërë që të ketë falimentime të bizneseve, shtim të papunësisë, rënie të fuqisë blerëse dhe asaj prodhuese.
Kadri Lalinovci nga Ferizaj i cili udhëheq tri kompani prodhuese, thotë se po e përmbyllin vitin 2020 me rreth 20-30% më pak fitim sesa viteve të kaluara.
“Ka qenë një vit shumë i tmerrshëm, unë i përfaqësoj tri biznese, njëra që merret me shitjen dhe distribuimin e lëndës së parë për prodhimin e mobilieve, kemi rënie këtu 18%, në kompaninë tjetër që është fabrika për prodhimin e dyshekëve sivjet kemi pas rënie prej 27%, por punëtorët nuk i kemi larguar, pagat ua kemi dhënë me rregull përkundër vështirësive që i kemi pas, ndërsa në fabrikën tjetër që është e re e cila merret me prodhimin e shiritave vetngjitës nuk e dimë a kemi rënie apo ngritje sepse është fabrikë e re, por vështirësi financiare kemi pas“, tha Lalinovci.
Lalinovci thotë se gjatë këtij viti probleme kanë pas edhe për sigurimin e lëndës së parë.
“Më së shumti kemi pas problem me lëndë të parë, nuk kemi pas mjaftueshëm, çmimet janë ngritur brenda dy muajve, nuk po dihet se çka është duke ndodhur me lëndën e parë, askush nuk na ka ndihmuar, as qeveria, as komuna, përveç me forca tona, me kredia që po mbahemi”, u shpreh Lalinovci.
Lalinovci shpreson që në vitin e ardhshëm shteti t’i përkrah më shumë bizneset prodhuese.
“Dy vitet e fundit shteti pak na ka ndihmuar, doganën na e kanë larguar prej prodhimit që është një plus për neve, po ashtu edhe TVSH-në nuk e paguajmë menjëherë por pasi ta bëjmë shitjen, e kjo është e njëjtë kryesorja ne e paguajmë, përndryshe nuk ka ndonjë beneficion si me na mbrojt si prodhues vendor, p.sh fabrikën e re që e kemi hapur prej Turqisë deri në Gjermani nuk ka këso fabrike, jemi vetëm ne, mirëpo nuk jemi jashtë konkurrence sepse nga jashtë munden me sjell me çmime shumë më të ulëta dhe neve si prodhues vendor nuk na mbron shteti jonë”, tha Lalinovci.
Sipas projeksionit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës për këtë vit ka shënuar rënie -7.2%.