Viti që po e lëmë pas po konsiderohet si viti më i vështirë për ekonominë në përgjithësi, por edhe një goditje e madhe që po e rëndon jetën e qytetarëve si pasojë e pandemisë COVID-19.
Kjo pandemi ndikim të madh ka pasur tek pothuajse të gjitha bizneset, por një ndër sektorët që është dëmtuar mjaft shumë është ai i gastronomisë.
Afërdita Hoxha, pronare e hotelit dhe restorantit “Cotto” në Ferizaj, thotë se ky vit ishte shumë sfidues për biznesin e saj.
“Fillimisht kishim mbyllje totale si e gjithë bota, pastaj kur u rikthyem patëm shumë probleme, kapacitete të reduktuara të stafit, klientëve, pastaj u sfiduam me shumë masa mbrojtëse, kështu që në aspektin e biznesit ishte një vit shumë i vështirë për me udhëheq. Kur zgjohesh në mëngjes nuk e din deri në sa ora mundesh me punu, pastaj ka qenë edhe një lloj panike e mbylljes se ku jeton për shkak të orës policore”, tha Hoxha.
Hoxha thotë se këtë vit humbjet ishin shumë të mëdha.
“Ne jemi duke bërë mbylljen e vitit, nëntori ishte muaji më i dobët që nga fillimi i këtij viti, e kjo kryesisht ka të bëjë me masat e Qeverisë që u vendos me punu deri në orën 18:00, më mirë do të ishte me u mbyll krejt gastronomia pasi shpenzimet fikse vazhdojnë me i pas bizneset si punuam deri në orën 18:00 si deri në orën 21:00, kështu që hyrjet zvogëlohen pasi qytetarët i frekuentojnë restorantet në mbrëmje. Besoj që ky vit ka me u mbajt mend shumë gjatë nga të gjithë. Një situatë të tillë nuk e kemi parashikuar, kemi kaluar në shumë sfida, atë të luftës, por këtë jo, që me u bë një bllokadë totale biznesore dhe shëndetësore ishte e paparashikueshme pasi ne nuk kemi strategji të veprimit, punojmë sot për sot”, tha Hoxha.
Sipas Administratës Tatimore të Kosovës deri më tani llogaritet se bizneset shënuan humbje deri në 1.2 miliard euro. Nga Pakoja Emergjente Fiskale dhe ndihmë për bizneset, Qeveria e Kosovës ka ndarë jo më shumë se 150 milionë euro deri më tani.