Në prag të festave të fundvitit familja 5 anëtarëshe Terziu nga komuna e Kaçanikut, është bërë me shtëpi të re falë pronarëve të marektit ”Eli-Ab” dhe shoqatës humanitare ”Feniks”.
Kryetari i shoqatës “Feniks” Milaim Jashari, falënderoi pronarët e marketit ”Eli-Ab” të cilët përveç ndërtimit të shtëpisë, kësaj familje ia siguruan edhe truallin.
“Në këtë shtëpi ka investuar ”Eli-Ab”-i, së pari ia ka blerë truallin kësaj familje dhe më pas e ka ndërtuar shtëpinë 12 mijë e 500 euro, punën më të madhe e ka bërë ”Eli-Ab”-i. Ne kemi kënaqësi që punojmë me këtë kompani dhe jemi shumë krenarë që e kemi këtë popull dhe po ndihmon këto familje”, tha Jashari.
Gjatë dorëzimit të çelësave të shtëpisë së re për këtë familje, i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, i cili tha se në këtë kohë pandemie janë munduar që si komunë t’iu ndihmojnë familjeve nevojtare.
“Jemi munduar që në këtë situatë pandemie të ndihmojmë qytetarët, këtë vit kemi shpërndarë mbi 4 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë, por falënderues më së shumti jemi ndaj donatorëve, e në këtë rast ndaj kësaj kompanie dhe kësaj shoqate që po ndihmojnë këto familje“, tha Ilazi.
Kryefamiljari Hamit Terziu falënderoi donatorët të cilët ia mundësuan që të bëhet me shtëpi të re.
”Ndjehem shumë mirë, falënderoj Milaim Jasharin, ”Eli-Ab”-in, kryetarin dhe të gjithë ata që më ndihmuan”, tha Terziu.
Shoqata ”Feniks” këtë vit ka ndërtuar 17 shtëpi, 6 prej tyre në Kukës të Shqipërisë dhe 11 tjera në qytete të ndryshme të Kosovës.