Janë bërë një vit që kur është rrënuar objekti i Organizatës së Pensionistëve në Ferizaj, rrënimi i të cilit ishte bërë me qëllim të ndërtimit të rrethrrotullimit në rrugën “Ramadan Rexhepi”, mirëpo edhe pse kanë kaluar më shumë se 12 muaj një objekt për pensionistët e Ferizajt nuk ka nisur të ndërtohet, derisa komuna po vazhdon financimin e kësaj organizate ashtu siç ishte paraparë në marrëveshje.
Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, tha se parcela për këtë objekt tashmë është ndarë, mirëpo për ndërtimin e tij presin ndihmën e donatorëve.
“Komplet projekti sa i përket çështjeve pronësore ka kaluar përmes Drejtorisë së Pronës, ne përmes Kuvendit kemi bërë këmbim të pronës, nuk ua kemi marrë pronën atyre, ju e dini që rreth 20 ari parcelë është ndarë për pensionistët, është afër Cosmo-s, pritet që në atë parcelë të implementohet projekti i pensionistëve për të cilin komuna e Ferizajt veçse ka ndarë buxhetin, është një projekt 3-vjeçar, mirëpo do të shikohet mundësia përmes donatorëve që të filloj implemetimi i këtij projekti, ndërsa sa i përket parcelës i plotëson të gjitha nevojat për këtë shoqatë”, tha Murseli.
Në konferencën për media që kishte thirrur drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit për të raportuar për punën e drejtorisë së tij gjatë vitit 2020, u vu theksi tek sipërfaqja e tokës rreth 1.5 hektarëshe që qytetarët ia kanë falur komunës për të mundësuar zhvillimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore. Ai po ashtu njoftoi se gjatë këtij viti ka pasur shtim të kërkesave të qytetarëve për regjistrim të pronësisë në emër të të dy bashkëshortëve.