Në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari i njohur i sportit, Avni Shabani.
Ai ishte gazetar shumëvjeçar i gazetës “Rilindja” dhe Radio Kosovës. Shabani i cili u pensionua dy muaj më parë, kishte udhëhequr edhe Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj.
Kolegët e tij e kujtojnë Avni Shabanin si njeri me virtyte të larta e shumë profesionist.
Gazetari Driton Ramadani tha se Avni Shabani ishte udhërrëfyes për shumë gjenerata, e veçanërisht për dashamirët e sportit.
“Kjo kohë pandemie pothuajse çdo mëngjes po na sjell lajme të trishta, i tillë ishte edhe lajmi mbrëmë kur kuptuam se kolegu ynë Avni Shabani ka ndërruar jetë. Është vështirë të flasësh për ish-kolegët që tani më nuk janë në jetë, Avniun gjithmonë do ta kujtojmë si një njeri i cili me virtyte ka dhënë propozime të mëdha apo duke nxitur të rinjtë që ta ringjallin jetën sportive e kulturore. Kohët e fundit Avniu në RTK kishte filluar një edicion të vetin të titulluar ”Gjeneratat e Arta” ku të ftuar shumicën i kishte nga qyteti i Ferizajt ku tregon se ka qenë i lidhur me qytetin e tij, prandaj ai do të jetë një mungesë jashtëzakonisht shumë e madhe jo vetëm për ne si kolegë, por për të gjithë adhuruesit e sportit”, tha Ramadani.
Avni Shabani dha kontribut edhe në avancimin e sportit ferizajas.
“Avni Shabanin e njoh që nga vitet e 70-ta atëherë kur kam filluar të merrem me futboll. Lajmi na ka goditur sepse nuk e kemi pritur që tani të ikë nga kjo botë. Dua ta ndajë një situatë që kishte të bënte me të kur e ka bërë një notim të lojës kur unë kam luajtur futboll dhe me debutimin tim të parë jam notuar nga ai me notën 8-të dhe me atë notim unë për dy muaj kam qenë në të gjitha gazetat ish-jugosllave si 11-shi më i mirë i përbërjes së Kosovës. I ndjeri kishte shumë plane për avancimin e gjeneratave dhe adhuruesve të sportit kështu që së pari është humbje për familjen e tij dhe më pas për të gjithë dashamirët e sportit”, tha Qerim Shaqiri, sportist.
Ish-gazetari i sportit i cili dy javë më parë ishte diagnostikuar me virusin COVID-19, u varros sot në vendlindjen e tij në fshatin Sazli.