Lulzim Abazi, këshilltar në Asamblenë Komunale në Ferizaj, është dënuar për mosdeklarim të pasurisë me 500 euro gjobë dhe dënim burgimi në afat prej gjashtë muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej një viti. Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Ferizaj, i akuzuari Abazi, po ashtu, është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Abazi e ka pranuar fajësinë, duke thënë se këtë e ka bërë nga pakujdesia.
Sipas aktakuzës, më 29 mars 2019, në Ferizaj, i pandehuri në pozitën e Këshilltarit të Asamblesë Komunale në Ferizaj, i cili sipas ligjit ishte i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, në atë mënyrë që në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2018 nuk ka paraqitur të dhënat lidhur me zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare dhe atë bizneset “Hotel LYBOTEN” shp.p.k me 25% të aksioneve, “LB – Ecoplan” sh.p.k me 100% të aksioneve, “Newco Hotel Luboten LL.C me 16.67% të aksioneve, “Tropicana A&L Mining” sh.p.k me pronar djali i tij A. A. me 100% të aksioneve, “LLF Control” sh.p.k bashkëpronar djali i tij me 50% të aksioneve dhe nuk ka deklaruar pasurinë e luajtshme mbi 3,000 euro, automjetin në emër të djalit të tij A. A. të markës Land Rover, modeli Range Rover, viti i prodhimit 2015.