Një përurim jo i zakonshëm u pa sot në nënkalimin i cili u ndërtua në fshatin Nikadin.
Me vetura e duke i rënë borisë komunarët e Ferizajt këputën shiritin e këtij nënkalimi, që nga ta po konsiderohet si njëri ndër projektet më të kompletuara në Ferizaj.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se ky projekt i jep fund aksidenteve nga treni që shpeshherë kanë përfunduar edhe me fatalitet në këtë lokalitet.
”Ky nënkalim është një mundësi më shumë për zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm të të gjitha bizneseve, por jo vetëm të Ferizajt dhe rëndësia është se sot ne, më18 nëntor të vitit 2020, po përmbyllim një epokë e cila ka mundur të shkruhet fatkeqësisht edhe me shkronja të zeza për familjarët, sepse ka qenë pikë e zezë në kuptimin e shfaqjes së pasigurisë të kalimit qoftë si këmbësor, qoftë si automjete. Pra, sot me këtë nënkalim ne po i japim më shumë siguri këmbësorëve, po i japim më shumë siguri çiklistëve, automjeteve individuale dhe ato në funksion të bizneseve”, u shpreh Aliu.
Zëvendësministri i Infrastrukturës Xhavit Zariqi, tha se shpreson që projekte të tilla të realizohen edhe më tutje në Ferizaj.
“Unë e uroj kryetarin për realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe zhvillimin ekonomik dhe uroj qytetarët që tani më nuk kanë rrezik për të kaluar në këtë pjesë dhe uroj që projektet e tilla të vazhdojnë edhe më tutje”, tha Zariqi.
Arkitektët e këtij projekti e cilësuan të nevojshëm kaherë ndërtimin e këtij nënkalimi.
”Këto projekte i japin jetë qytetit, rritin zhvillimin ekonomik, rritin mirëqenien sociale të qytetarëve, e shtojnë sigurinë dhe mbi të gjtiha i japin Ferizajt një pamje si Monte Carlo”, tha Sabri Ramadani, arkitekt.
“Sot është një ditë e madhe për mua, ne e kemi ditë rrezikshmërinë e qytetit tonë dhe tani i erdhi radha që këto gjëra t’i studiojmë më konkretisht“, tha arkitekti Arsim Murseli.
Ky projekt infrastrukturor i realizuar nga kompania ”Eskavatori”, komunës së Ferizajt i ka kushtuar 750 mijë euro.