Në 25 vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit ferizajas Remzi Hoxha, djali i tij Ardian Hoxha, në një konferencë për media njoftoi se familja do t’i jap fund kërkimeve për eshtrat e babit të tij. Hoxha tha se këtë po e bëjnë pasi nuk kanë më besim tek insitucionet e drejtësisë dhe tek politika në Shqipëri se do të zbardhin deri në fund të vërtetën edhe pse, sipas tij, e vërteta se kush e ka vrarë babin e tij dihet.
“Kemi ardhur në një pikë që i kemi humbur shpresat, kemi humbur besimin në institucionet e drejtësisë, kemi humbur besimin në klasën politike në Shqipëri, në të gjitha partitë politike pa dallim dhe kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i prejmë gjërat sado që është e dhimbshme për ne dhe të vazhdojmë tutje. Është Berisha ai që kishte dhënë urdhër të arrestohet dhe për fat të keq nga torturat që i kanë bërë pa dashje iu ka mbetur në dorë dhe nga paniku janë munduar që ta fshehin dhe ne në tërë këto vite nuk kemi kërkuar hakmarrje, por vetëm t’i kemi eshtrat e tij, të paktën ta kemi një varr”, tha Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.
Hoxha njoftoi se do të bëhet një memorial për nder të prindit të tij që të paktën të kenë ku ta përkujtojnë.
“25 vite pa eshtra, pa varr dhe vuajtje, ne si familje duam që babait tim t’ia bëjmë një varr të hapur, një memorial ku mund të shkojmë dhe ta vizitojmë, nuk është e lehtë aspak, ka edhe familjarë që edhe nuk pajtohen e kanë të vështirë që ta pranojnë këtë, por që duke e bërë zemrën guri ne duhet ta bëjmë këtë pasi kaluan 25 vite dhe nuk e di askush edhe sa vite e dekada do të kalojnë dhe do të mbetemi pa varr”, theksoi Hoxha.
Në këtë konferencë, avokati i angazhuar i familjes Hoxha, Tomë Gashi, shprehu bindje se biznesmeni Hoxha ishte vrarë nga SHIK-u i cili udhëhiqej nga Sali Berisha.
“Vrasja dhe zhdukja e Remzi Hoxhës ka ardhur nga aktiviteti i tij patriotik. Askush nuk e mohon se mëkati i tij i vetëm ishte se Rmeziu e ndjente se luftë do të ketë në Kosovë dhe gjithë pasurinë e tij që e kishte e shtriu në grumbullimin e armatimit për një Kosovë dhe duket se Sali Berisha këtë nuk mundi t’ia falë dhe e inskenoi një ngjarje që ai arrestoi edhe persona të tjerë që ata janë të gjallë, mirëpo Remzi Hoxha është vrarë. Remzi Hoxha padyshim është vrarë nga sektori famkeq i SHIK-ut të Partisë Demokratike në krye me Sali Berishën”, u shpreh Gashi.
Biznesmenin ferizjase Remzi Hoxha ishte rrëmbyer në firmën e tij të duraluminit “Albatros”në Tiranë. Ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni Ziso Kristopulli. Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se ishin rrëmbyer dhe keqtrajtuar duke i akuzuar si agjentë të huaj, ndërsa për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar.