Mungesa e bibliotekave nëpër shkollat e vendit e veçanërisht atyre nëpër fshatra, po e shton interesimin e donatorëve që të krijojnë hapësira të tilla.
Kështu u veprua edhe në shkollën “Jusuf Gërvalla” në fshatin Biçec të Kaçanikut, ku banorë të atij lokaliteti dhe donatorë të tjerë krijuan një mini-bibliotekë në shkollën e fshatit.
Njëri ndër iniciatorët e krijimit të kësaj mini-biblioteke Flamur Sallahu, thotë se për momentin kanë sjellur rreth 300 tituj, por synim kanë që ta pasurojnë atë edhe me libra të tjerë. Ai shpreson që nisma e tyre të ndiqet edhe nga të tjerët në mënyrë që të gjitha shkollat e kësaj komune të bëhen me mini-biblioteka.
“Para dy jave e kemi themeluar këtë mini-bibliotekë, më pas do ta zgjerojmë nga viti i ardhshëm ku ka me pas më shumë investime, janë mbi 300 tituj, ka libra të ndryshëm duke filluar nga romane, lektyra, libra të gjuhëve të huaja, është njëfarë mundësie e mirë edhe për nxënësit e kësaj ane”, tha Sallahu.
Sallahu thotë se projekte të tilla kanë nisur që 4 vite.
”Ideja ka qenë shumë më herët, ne para 4 viteve së bashku me Vanesa Sadriun, Agon Zhinipotokun e kemi pas themeluar bibliotekën në Slivovë, pastaj në Sazli e Balaj dhe tani në fshatin Biçec pasi është vendlindja ime dhe desha që ta shpërblej në përgjithësi gjithë fshatin”, tha Sallahu.
Nxënësve u pëlqeu kjo iniciativë, për çka edhe u shprehën falënderues.
“Ide shumë e mirë, ne kemi nevojë me lexu libra dhe na ka ndihmuar shumë”, tha Loresa Dullovi, nxënëse.
“Shumë mirë që tani jemi me bibliotekë, ne kemi nevojë të gjithë me lexu shtesë dhe është shumë mirë, tani s’kemi nevojë me ble libra mundemi me i marrë këtu”, tha Arta Sallahu, nxënëse.
Në këtë shkollë vijojnë mësimet rreth 300 nxënës.