Dita e Dëshmorëve të Ferizajt, e cila lidhet me betejën më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kësaj ane, e njohur si “Epopeja e Jezercit”, tuboi sot në orët e paraditës mijëra qytetarë në Varrezat e Dëshmorëve të kësaj komune për të bërë homazhe në shenjë nderimi për ata që dhanë më të shtrenjtën për çlirimin e vendit.
Mes dhembjes e krenarisë, familjarët e dëshmorëve u shprehën krenarë për të bijtë e tyre që dhanë jetën për liri.
“Për ne kjo ditë është e dhembjes dhe e krenarisë, kjo është dita më e rëndësishme në Ferizaj. Në këtë ditë bien 9 dëshmorë të UÇK-së të cilët bien në luftë për komb e atdhe. Sot ata dëshmorë prehen këtu të qetë për ne, prandaj kërkesa e jonë e vetme është mos të ketë përçarje mes vete pasi përçarja është mike e Serbisë”, tha Gafurr Bytyqi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj.
Veteranët e UÇK-së kërkojnë që kjo pjesë e historisë së popullit tonë të shkruhet sa më parë në librat shkollor.
“Kjo datë do të kujtohet gjithmonë si një datë e cila ndryshoi historinë, prandaj është kërkesë imediate që këto data të rëndësishme të përfshihen në analet historike, pasi që dita ditës po harrohen këto data, prandaj urgjentisht duhet të trajtohen këto tema dhe të vendosen në pjesën e historisë pasi janë data tejet të rëndësishme”, tha Nexhat Shahini, veteran i UÇK-së.
Pas homazheve në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve të Ferizajt, deputetë të Kuvendit të Kosovës, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë të shumtë, u nisën drejt fshatit Jezerc për të bërë inagurimin e Pikës 6 të UÇK-së e që është në kuadër të Parkut Memorial të UÇK-së.
Nga këtu, kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se janë munduar që të realizojnë një projekt përmes së cilit gjeneratat e reja do të njoftohen se si është fituar liria e Kosovës.
”Kjo që po e bëjmë ne sot me inagurimin e pikës 6 flet më së miri për përkushtimin e komunës që krahas përjetësisë dhe lavdisë së dëshmorëve ne kemi bërë një projekt që është unik në Republikën e Kosovës, që është një trashëgimi për gjeneratat që vinë, sepse sigurisht vitet ikin dhe mund të harrohet, por kjo që ne po bëjmë sot është përjetësisht ajo që do ta përkujtojnë gjithë të rinjtë e lindur pas vitit 1998 dhe ata që do të lindin, se këtu ka pasur trima dhe trimëresha dalzotës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Aliu.
Këtë projekt e mirëpritën përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj.
“Pas 22 viteve po shenjëzojmë një vend që është pjesë e Parkut Memorial të UÇK-së në Ferizaj, falënderojmë institucionet për angazhimin që kanë bërë që ky projekt të realizohet, ne jemi krenarë që po respektohen meritat që i kemi”, tha Luan Jahiri, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj.
Në 22 vjetorin e ”Epopesë së Jezercit” u organizua edhe një maratonë, ku pjesëmarrës ishin veteranët e luftës së UÇK-së dhe ushtarët e FSK-së.
“Ka qenë një maratonë me plot krenari, plot vullnet pasi kjo ditë është shumë e madhe për ne, me një fjalë ne jemi munduar që përmes motos, “Kujtojmë dhe Nderojmë”, t’i kujtojmë dhe nderojmë dëshmorët dhe ushtarët tanë duke vrapuar në mënyrë që ta kujtojmë kohën e tyre kur kanë vrapuar në një kohë të vështrirë, kështu ne jemi munduar që të bëjmë krenarë vetvetën, pastaj dëshmorët, familjarët e tyre, luftëtarët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë liri që ne e gëzojmë sot“, tha Dardan Ibrahimi, pjesëtar i FSK-së.
Komuna e Ferizajt ka 62 dëshmorë.