100 të ri ferizajas janë certifikuar pas trajnimeve disa ditore që kanë ndjekur për ndërmarrësi dhe plan biznesi .
Ky projekt i implementuar nga rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET dhe Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim dhe i financuar nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe Sportit do t’iu mundësoj këtyre të rinjve që të aplikojnë për themelimin e bizneseve të reja.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së këtyre certifikatave ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila deklaroi se dyert e ministrisë janë të hapura për përkrahje për secilin të ri që ka ide konkrete për krijimin e ndonjë biznesi.
“Ky trajnim që ju e keni marrë është i rëndësishëm pasi ju po e filloni një hap të jetës së juaj dhe ju me këtë trajnim tani do të na i paraqitni planet e juaja të biznesit për të cilat MKRS do të ju mbështes për ta filluar biznesin dhe kështu ju do të lironi edhe familjarët e juaj, por do të ndihmoni edhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Dumoshi.
Udhëheqësja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj Xhemile Murati-Shabani, tha se këto certifikata do t’u hynë në punë këtyre të rinjve.
“Realizmi i këtij projekti po besoj se ka me qenë për ju një udhërrëfyes në karrirën tuaj dhe përveç që do të përfitoni ju, do të përfitoj edhe familja juaj”, tha Murati-Shabani.
Drejtori i AVONET-it, Kenan Gashi, u shpreh se me këto certifikata të rinjtë tashmë janë të gatshëm të nisin biznes personal.
“Për 10 ditë çdo grup ka pas fatin që të marrë njohuri elementare deri tek ajo profesionale dhe ka pasur kërkesa që të vazhdohet me projekte të tilla pasi kapacitetet e tyre janë shumë të rëndësishme. Pra, ky trajnim do t’iu mundësoj që të vetëpunësoheni si dhe të ndikoj në uljen e papunësisë”, tha Gashi.
Të sapo certifikuarit si ndërmarrës të rinj thanë se me pak mbështetje nga institucionet janë të gatshëm të fillojnë ndonjë biznes.
“Pas trajnimit që kemi mbajtur me AVONET-in dhe IMD-në sot u certifikova si një ndërmarrëse e re ku tani po e ndjej vetën të gatshme për me fillu një biznes timin, jemi falënderues për mundësinë që na është dhënë nga organizatat dhe Ministria e Kulturës”, tha Vlera Zejnullahu.
Ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit Vlora Dumoshi, gjatë vizitës në Ferizaj është takuar edhe me kryetarin e komunës së Ferizajt Agim Aliun, ku është zotuar se ky qytet do të bëhet me stadium të ri të futbollit sipas standardeve evropiane. Ajo theksoi se në Ferizaj shumë shpejt do të ndërtohet edhe pallati i kulturës, palestra sportive në Greme të Ferizajt, kompleksi i fushave të tenisit dhe pishina gjysmë-olimpike.