Rrallëherë ndodhë që punëdhënësi ta befasojë punëmarrësin në ditën e tij të lindjes.
Por, një gjë të tillë e bëri pronari i kompanisë “Metal Laçi”, Isa Laçi, i cili u përkujdes t’ia festoj ditëlindjen një punëtori të tij që e punësoi pak ditë më parë.
Ky djalë që i mbushi të 18-tat, vite më parë ishte braktisur nga babi tij biologjik nga Ferizaj, ndërsa pak vite më vonë atij i vdiq e ëma me të cilën jetonin në komunën e Gjilanit. Mospërkujdesja për të as nga të afërmit e tjerë bëri që ai të mbetej rrugëve duke kaluar natën kudo që e zinte terri.
Me të kuptuar këtë histori, pronari i ”Metal Laçi”-it,e punësoi menjëherë atë.
“Para disa dite prej zyrës sociale më thirrën në telefon dhe më kërkuan se a ka mundësi me marrë një person në punë, në fillim refuzova, por më pas shkova në zyre të socialit dhe aty më pritën Dashurije Ahmeti dhe baci Musë, aty e pashë edhe një djalë që rrinte i vendosur në një kënd, aty më treguan se bëhet fjalë për këtë djalë që ishte nën moshën 18 vjeçare dhe pasi e dëgjova historinë e tij pranova ta punësoj, aty më tregun se ky fëmijë ishte pa ngrënë 3 ditë, madje ishte duke fjetur edhe nëpër bodrume, kështu që unë pranova ta punësoj në punishten time”, tha Laçi.
Laçi thotë se janë duke bërë përpjekje që këtij të riu t’ia sigurojnë edhe banimin.
“Restorant “Bolero” i ka ofruar strehim për disa netë derisa t’ia bëjmë një zgjidhje, ky fëmijë që nga sot llogaritet i ri tani e ka një vend pune, por duhet t’i sigurohet edhe banimi, unë kam bisedu me disa biznese ua kam treguar rastin dhe ata kanë pranu që me përkrah. Po ashtu, duhet të tregoj se kur e kemi diskutu me shokë, i kemi tubuar disa të holla dhe me ato kemi shkuar në qendrën “Outlet” ku i kemi blerë veshmbathje djalit, por vlen të thuhet se këtu ka bërë mjaft zbritje edhe “Outlet”-i që e falënderojmë edhe atë”, tha Laçi.
Dashurije Ahmeti, zyrtare e Qendrës për Punë Sociale, tregon se ky i ri ishte referuar tek ta nga policia, ku vet ai kishe kërkuar ndihmë.
“Ky fëmijë nuk e ka njërin prind dhe për shkak se prindi tjetër gjendet në burg ky vet është lajmërua në polici, sepse nuk ka pas vendbanim, nuk ka pasur ushqim dhe ka kërkuar zgjidhje nga institucionet për çka jemi fatlum që kemi arritur t’i dalim në ndihmë këtij djali të ri që sapo e festoi ditëlindjen. Falënderojmë “Metal Laçin”, hotel “Boleron” i cili që 7 ditë është duke e strehuar këtë të ri, tani dëshira jonë është t’i sigurojmë strehim të përhershëm dhe për këtë na duhet ndihmë nga donatorët“, tha Dashurije Ahmeti.
Para se t’i mbushte 18 vjeç, në kompaninë “Metal Laçi” ky i ri punonte vetëm 3 orë në ditë, ndërsa tani ai ka nënshkruar kontratë me orar rë plotë.