Procesi mësimor sot ka nisur edhe në shkollat e komunës së Ferizajt. Për të shikuar nga afër fillimin e këtij procesi, ekzekutivi i Ferizajt vizitoi disa shkolla të kësaj komune.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se nxënësit sot kanë hyrë në shkolla të dezinfektuara e të përgatitura mirë si në aspektin profesional, por edhe në atë të masave mbrojtëse ndaj Covid-19.
“Sot kemi filluar me nivelin 0 deri në klasën e 6, përjashtim bën shkolla “Tefik Çanga” që ka filluar vetëm me klasët 0,1,2,3, kurse shkollat e tjera kanë filluar sipas programit që është paraparë. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet, kemi bërë shenjëzimin, i kemi furnizuar me dezinfektues, me termometër, kemi bërë komplet dezinfektimin e shkollave, kështu që uroj nxënësit e mësimdhënësit që të kemi një vit të mbarë shkollor”, deklaroi Llabjani.
Llabjani tha se në tri shkolla të Ferizajt procesi mësimor nuk ka filluar sot.
“Shkollat të cilat nuk kanë filluar me procesin mësimor janë “Gjon Serreçi”, e cila ka filluar vetëm me klasët e para për shkak të disa ndërhyrjeve teknike që jemi duke i bërë, shkolla tjetër që s’ka filluar sot është shkolla amë “Ismail Qemaili” për shkak të një renovimi dhe pastrimi gjeneral kam vendosur që të mos fillojë dhe shkolla e tretë që s’ka filluar mësimin është shkolla “Besim Rexhepi” në Komogllavë, ku fatkeqësisht drejtoresha e shkollës ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe ne duke marrë rekomandimet e IKSHPK-së ajo shkollë nuk ka filluar sot, por tek në fazën e dytë”, theksoi Llabjani.
Në ditën e parë të shkollës, nxënësit u munduan t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi.
“Ishte kënaqësi e madhe sot kur i kemi pritur fëmijët. Të gjitha përgatitjet i kemi bërë, kemi formuar grupin e task-forcës, ne jemi përcaktu për skenarin A, kemi bërë planin e veprimit, kemi bërë orarin, kështu që sot kemi filluar në mënyrën më të mirë, paradite kanë qenë të gjitha paralelet e klasës së 6 dhe tri klasë të 5-ta, ndërsa klasët e tjera i kemi ndarë në dy grupe, shembull nga numri 1-16 është në grupin e parë, ndërsa nga 16 e tutje është në grupin e dytë”, u shpreh drejtoresha e shkollës fillore ”Jeronim de Rada” në Ferizaj, Servete Hajrullahu.
“Sot kemi filluar me parafillorët, klasët 1,2,3,4,5 dhe 6. Shkolla jonë i plotëson të gjtiha kushtet, ndërsa po presim edhe klasët 7,8 dhe 9, shkolla ka bërë dezinfektimin e shkollës, jemi furnizuar me material dezinfektues, jemi furnizuar me termometër që neve na e kanë siguruar prindërit, edhe ne jemi duke punuar me tri ndërrime dhe sot ka shkuar gjithçka në rregull”, tha Andolina Sylejmani drejtoreshë e shkollës fillore ”Muharrem Shemsedini” në fshatin Bibaj.
Mësimin sot e filluan edhe klasët e 10-ta.
“Sot ka filluar mësimi edhe tek ne, klasët e 10 -ta tek ne janë në orar pasdite, por sot shumë nxënës ishin paradite që kishin ardhur për të marrë informacione, nesër do të na vijnë komplet pasdite, përgjigja ka qenë e mirë, ne nuk kemi nevojë të bëjmë ndarje të grupit pasi në shkollën tonë nuk kalohet numri 15 i nxënësve, pasi është shkollë profesionale, pra ne jemi të gatshëm të fillojmë sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, gjithçka është gati”, theksoi Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së Agrobiznesit dhe Tekonologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Faza e dytë e mësimit do të nis me 21 shtator për nxënësit e e klasave 7,8,9,11 dhe 12.