Kanë qepur afër 500 maska, ndërsa janë i duke qepur edhe 500 të tjera. Janë nxënësit e profilit të tekstilit të shkollës së mesme profesionale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, të cilët kanë prodhuar maska për nxënësit e kësaj shkolle, meqë ato janë bërë të domosdoshme në luftën kundër virusit COVID-19.
Festim Tahiri, i cili pasi të përfundoj shkollën e mesme pretedon të bëhet dizajner, thotë se po të kenë më shumë makina qepëse do të prodhojnë maska për të gjitha shkollat e Ferizajt.
”I kemi qepur 1 mijë maska, 500 për shkollën tonë, 500 për një shoqatë që i ka kërkuar, por po të kemi më shumë makina mundemi me prodhu maska edhe për shkollat e Ferizajt dhe më gjerë. Kështu që na duhen makina dhe materiale”, tha nxënësi Festim Tahiri.
Bjonda Krasniqi, profesoreshë e lëndës së dizajnit, tha se nxënësit në të njëjtën kohë po kryejnë dy punë, po prodhojnë maska, por edhe po ngriten profesionalisht.
“Ky projekt është financuar nga ”IPEDU” që na ka siguruar materialin e nevojshëm, ideja ka qenë e drejtorit të shkollës e mandej është përkrahur edhe nga nxënësit. Është maskë dy-përdorimëshe, po ashtu mund edhe të pastrohet. Nxënësit janë shumë të përgatitur dhe janë duke punuar intensivisht. Nxënësit janë duke u ambientuar edhe më shumë me makinën me këtë rast”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi tregon se kanë filluar të kenë kërkesa edhe nga organizata të ndryshme që t’i furnizojnë me maska, por se u duhen materiale dhe makina shtesë.
“Kemi pasur edhe porosi nga një organizatë, gratë të cilat janë të prekura me kancer, ku ka qenë porosia mbi 200 maksa dhe i kemi kryer për dy ditë dhe i kemi dhuruar ato. Nëse ka donatorë që munden me na ndihmu me materiale ne mundemi me prodhu maska edhe për shkolla të tjera, por edhe për njerëz të vendeve të ndryshme të punës”, tregoi Krasniqi.
Profili i dizjanit është më i kërkuari nga nxënësit që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj shkolle.