Kjo shtëpi në ndërtim e sipër po bëhet gati për familjen Limani nga fshati Slivovë i Ferizajt, e cila jeton në kushte jo të mira banimi.
Kjo familje e cila të ardhur të vetme e ka ndihmën sociale, është përzgjedhur në mesin e 10 familjeve që do t’u ndërtohen shtëpi nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe komuna e Ferizajt, në bazë të një marrëveshje që ata e kanë nënshkruar para 2 muajsh.
E zonja e shtëpisë Mirvete Limani, thotë se çdo ditë zgjohet me gëzim kur e di se së shpejti do të jetoj në shtëpi të re.
“Jemi duke qëndruar me një dhomë së bashku me burrin. I kemi çu letrat në komunë dhe ke kismet u nis shtëpia. Jam shumë e lumtur që do të dalë në shtëpi të re, falënderoj Halil Kastratin dhe komunën e Ferizajt që na kanë shti në listë neve”, tha Limani.
Koordinatori i memorandumit të bashkëpunimit midis shoqatës ”Jetimat e Ballkanit” dhe komunës së Ferizajt, Agon Zhinipotoku, tha se shumë shpejt 10 familjet përfituese do të hyjnë nëpër shtëpi të reja, ndërsa janë duke e përpiluar listën edhe për 5 shtëpi të tjera, të cilat i ka premtuar Halil Kastrati jashtë marrëveshjes.
“Punët janë duke shkuar shumë mirë, shumica e shtëpive janë afër finalizimit dhe shumë shpejt pritet të dorëzohen çelësat për secilën familje përfituese. Po ashtu jemi duke përpiluar listën edhe për 5 familje shtesë që do të jenë nga shoqata ”Jetimat e Ballkanit”, tha Zhinipotoku.
Zhinipotoku thotë se ka qenë e vështirë të bëjnë përzgjedhjen e familjeve përfituese, meqë kërkesat janë të shumta.
“Është një punë shumë e vështirë pasi nuk e dimë se ku mund të gabosh, por jemi munduar që rastet më të rënda t’i përzgjedhim“, tha Zhinipotoku.
Sipas memorandumit të bashkëpunimit që është nënshkruar nga humanisti Halil Kastrati dhe kryetari Agim Aliu, secila shtëpi do të kushtoj nga 20 mijë euro, ku nga 15 mijë euro sigurohen prej shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, ndërsa komuna e Ferizajt është participuese me nga 5 mijë euro.