Të hënën pritet që disa nivele arsimore të fillojnë mësimin, e disa të tjera një javë më vonë.
E, një ndër shkollat profesionale në Ferizaj e cila shquhet për cilësi, Qendra e Kompetencës, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme si për nxënësit të cilët do të jenë në shkollë, por edhe për ata që do të ndjekin mësimin nga distanca.
Drejtori Bashkim Hyseni, thotë se kjo shkollë do të zhvilloj procesin mësimor me skenarin B, e që është shkollë-online.
“Tashmë janë dhënë tre skenarë, ne jemi përcaktuar që të fillojmë me skenarin B që është një kombinim i mësimit shkollë-online, meqë kushtet tona janë të mira në krahasim me shkollat e tjera sepse kemi internet në të gjitha hapësirat e shkollës, ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet që në të njëjtën kohë mësimdhënësi mund të mbajë mësimin me gjysmën e klasës në klasë dhe në të njëjtën kohë mësimin ta zhvilloj online me pjesën tjetër të nxënësve”, tha Hyseni.
Hyseni thotë se nxënësve që nuk do të kenë mundësi ta ndjekin mësimin për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike, do të kujdesen t’ua sigurojnë ato .
“Siç shihet në bazë të kriterit 1.5 metër distancë i bie që gjysma e klasës do të jetë këtu, po ashtu do të bëjmë vlerësimin e nxënësve, ata që nuk kanë internet në disa fshatra, apo edhe nxënës që mund të mos kenë telefona të mençur ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë edhe në këtë drejtim, mirëpo edhe në të njëjtën kohë t’i përdorin laptopët e shkollave ose nëse nuk mundemi të bëjmë ndonjë gjë së paku të shpeshtojmë ardhjen fizike të atyre nxënësve që për arsye të ndryshme mund të kenë probleme”, tha Hyseni.
Higjiena duket se do të jetë më e lehtë të mbahet në këtë shkollë, meqë në secilën klasë dhe kabinet ka të vendosura çezme.
“Ne jemi shkollë e shëndetësisë dhe nxënësit edhe nëpër lëndë mësimore mësojnë për higjienën. Të gjitha klasat, të gjitha hapësirat në këtë shkollë kanë çezme, madje ka edhe ujë të ngrohtë, të gjitha janë të rregulluara dhe janë të mirëmbajtura. Këto do të duhej të ishin në të gjitha shkollat dhe jo vetëm në këtë kohë pandemie, por në çdo kohë”, tha Hyseni.
Edhe në këtë vit të ri shkollor, Qendra e Kompetencës në Ferizaj nuk ka pranuar më shumë se 164 nxënës në gjithsej 6 profile, farmaci, optikë, kujdes social shëndetësor, siguria e ushqimit dhe dieta, fizioterapi dhe teknik dentar.